BALLKANI

Gjiknuri: Investimet në sektorin hidroenergjetik duhet të vazhdojnë

Sipas ministrit Gjiknuri, investitorët privat duhet të përshtaten me zhvillimet e fundit sa i përket sektorit energjetik

Fatjon Cuka  | 21.02.2018 - Përdıtësım : 22.02.2018
Gjiknuri: Investimet në sektorin hidroenergjetik duhet të vazhdojnë Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri, vlerëson se investimet në sektorin hidroenergjetik në vend duhet të vazhdojnë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Tiranë është mbajtur tryeza e diskutimit me temë "Energjia dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik", ku pjesë e saj përveç ministrit Gjiknuri ishin edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ambasadorë, si dhe përfaqësues të shoqatave të biznesit.

Gjknuri, në fjalën e tij në këtë aktivitet theksoi se energjia është një sektor i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare.

"Stoku më i madh i investimeve të huaja është në energji, ku përfshihet i gjithë portofoli i energjisë, jo vetëm energjia elektrike, ku përfshihen edhe nafta dhe gazi, Mbi 70 për qind e investimeve të huaja kanë qenë të fokusuara në energji. Energjia nuk ka fitime të shpejta dhe është një biznes përgjithësisht i qëndrueshëm dhe ka përfitime afatgjata, përveç rasteve të eksplorimeve të naftës. Sa i përket mjedisit të biznesit, Shqipëria ka potenciale natyrore. Burimet tona ujore kanë mundësuar një portofol të madh investimesh. Shteti(shqiptar) do të sigurojë një mjedis të pranueshëm brenda rregullave që reflektojnë zhvillimet evropiane sepse ne nga një treg i mbyllur dhe i centralizuar i energjisë elektrike do të shkojmë gradualisht në një treg të liberalizuar", tha Gjiknuri.

Sipas tij, investitorët privat duhet të përshtaten me zhvillimet e fundit sa i përket sektorit energjetik.

Duke iu referuar ndryshimeve ligjore në vend dhe masave të marra për sektorin energjetik, Gjiknuri tha investitorët privatë do të kenë një mbrojtje dhe mundësi të mira investimi.

"Investimet në hidroenergji duhet të vazhdojnë, qoftë në hidrocentrale të vegjël, ose qoftë për hidrocentrale të mëdhenj. Ne po investojmë edhe në infrastrukturën energjetike, përfshirë dhe lidhjet me rajonin dhe kjo është një mundësi edhe për eksport. Me programet tona të reja do të krijojmë mundësi edhe të investimeve në fushën e paneleve diellore", theksoi më tej Gjiknuri.

Në këtë tryezë ishin në fokus zhvillimet e fundit në sektorin energjetik, roli i energjisë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, si dhe investimet e huaja në këtë sektor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın