BALLKANI

Kosovë, mbahet seanca e drejtuar nga fëmijët

Me rastin e Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, sot në Kuvendin e Kosovës u mbajt një seancë e drejtuar nga fëmijët, me temën “Fëmijët udhëheqin Kuvendin”

Sibel Vezaj  | 20.11.2017 - Përdıtësım : 20.11.2017
Kosovë, mbahet seanca e drejtuar nga fëmijët Sibel Vezaj/AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Me rastin e Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajt një seancë e drejtuar nga fëmijët, me temën “Fëmijët udhëheqin Kuvendin”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Kosovës, UNICEF-it, organizatës joqeveritare "Save the Children" dhe Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) sot në Kuvendin e Kosovës u mbajt një seancë e drejtuar nga fëmijët, me temën: “Fëmijët udhëheqin Kuvendin”.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli mbajti një fjalë rasti, ku tha se të drejtat e fëmijëve janë të drejtat më të rëndësishme të këtij vendi. Ai tha se Kosova do të ketë ligje përkatëse për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në edukim, kujdes shëndetësor e në mbrojtjen nga format e diskriminimit.

Veseli u bëri thirrje qytetarëve që t’u përmbahen diskriminimeve apo urrejtjeve në baza racore. “Veçanërisht populli ynë të cilit i përkas edhe unë ka pasur një përjetim shumë të rëndë pikërisht nga ky lloj i diskriminimit gjatë viteve të 90-ta dhe asnjëherë nuk duhet të ndodhë një diskriminim i tillë”, tha Veseli.

Më pas me votimin e fëmijëve në seancë u miratua një rezolutë, ku fëmijët kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës që “Për të gjithë fëmijët pa dallim të garantohet arsim cilësor dhe gjithpërfshirës, shëndet, parandalim të sëmundjeve ngjitëse dhe të transmetueshme. Mbështetje dhe fuqizim të familjeve me fëmijë që jetojnë në varfëri, pa dallim. Programe sociale që mbrojnë fëmijët në nevojë. Mbrojtje nga çdo formë e dhunës me mekanizma funksionalë për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna. Ligj i veçantë dhe i zbatueshëm për mbrojtjen e fëmijëve...”.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe për Persona të Pagjetur dhe Peticione si dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje e cila pranoi rezolutën e votuar nga fëmijët garantoi respektimin e pikave të kësaj rezolute. 

“Kjo sallë kurrë nuk ka qenë më e bukur se sot. Kjo është një ditë ku duhet të mendojmë në mënyrë më serioze për të drejtat e fëmijëve. Ne kemi punuar shumë për ligjin për fëmijët në mandatin e kaluar. Tash presim që përsëri të punojmë edhe më shumë dhe të dalim me një ligj me kualitet për të drejtat e juaja”, tha Balje.

Ndryshe, më 20 nëntor, me aktivitete të ndryshme në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, kushtuar të drejtave të fëmijëve dhe ngritjes së vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e tyre në shoqëri.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın