BALLKANI

Mbahet forumi i biznesit Shqipëri-Çeki

Kryeparlamentari i Shqipërisë: Mirëpresim interesimin e kompanive çeke në sektorin e energjisë, infrastrukturës rrugore, të agromekanikës, turizmit dhe ndërtimit. Dy vitet e fundit tregtia mes dy vendeve ka shënuar rritje

Fatjon Cuka  | 21.02.2018 - Përdıtësım : 22.02.2018
Mbahet forumi i biznesit Shqipëri-Çeki Olsi Shehu/AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Forumi i biznesit Shqipëri-Çeki ka mbledhur në Tiranë zyrtarë të lartë, si dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme nga të dy vendet, të cilët në fokus të diskutimeve të tyre kishin bashkëpunimin ndërmjet biznesit çek dhe shqiptar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapje të forumit organizuar nën kujdesin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, mbajtën një fjalë përshëndetëse kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe kryetari i Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Milan Stech (Milan Štěch).

Ruçi theksoi se ky forum është një dëshmi e vullnetit të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

"Çekia për Shqipërinë është një vend i rëndësishëm dhe mbështetës i vendosur për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian. Marrëdhëniet shumë të mira politike duhet të reflektohen edhe në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Ky forum është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer mundësi konkrete bashkëpunimi për të ardhmen në sektorë me interes të përbashkët. Mirëpresim interesimin e kompanive çeke në sektorin e energjisë, infrastrukturës rrugore, të agromekanikës, turizmit dhe ndërtimit. Dy vitet e e fundit tregtia mes dy vendeve ka shënuar rritje", tha kryeparlamentari i Shqipërisë.

Në fjalën e tij në hapje të forumit, kryetari i Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Milan Stech, u shpreh se kompani të ndryshme çeke synojnë dhe kanë dëshirë të bashkëpunojnë me kompanitë shqiptare në disa sektorë.

"Marrëdhëniet mes Republikës së Çekisë dhe Shqipërisë janë në një nivel shumë të lartë. Jemi të gatshëm ta mbështesim Shqipërinë për negociatat e saj për anëtarësimin në BE. Tek ne ka kompani të ndryshme që kanë dëshirë të bashkëpunojnë për eksportet. Jam i mendimit se kompanitë çeke janë partnerë të mirë që kanë dëshirë të vazhdojnë bashkëpunimin në të ardhmen me biznese të ndryshme. Populli çek është një popull që pëlqen turizmin dhe vendi juaj (Shqipëria) ofron mundësi turizmi dhe do ishte mirë bashkëpunimi në fushën e turizmit. Ne si senat i Republikës Çeke jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje", tha Stech.

Në forumin e biznesit Shqipëri-Çeki është diskutuar për bashkëpunimin në të ardhmen mes dy vendeve në disa sektorë të ekonomisë, ndërsa në fokus ishin edhe aktivitetet dhe bashkëpunimi mes kompanive çeke dhe atyre shqiptare.

Kujtojmë se kryetari i Senatit të Çekisë, Milan Stech, po qëndron në Shqipëri në kuadër të një vizitë zyrtare, ku dje u takua me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ndërsa sot është takuar me presidentin e vendit, Ilir Meta. 


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın