BALLKANI

"Nevojitet respekt më i madh ndaj të drejtave të fëmijëve në rajon"

Sot, më 20 nëntor, me aktivitete të ndryshme në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, kushtuar të drejtave të fëmijëve dhe ngritjes së vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e tyre në shoqëri

Ekip  | 20.11.2017 - Përdıtësım : 21.11.2017
"Nevojitet respekt më i madh ndaj të drejtave të fëmijëve në rajon"

Prishtinë/Shkup/Tiranë

PRISHTINË/SHKUP/TIRANË (AA) – Sot, më 20 nëntor, me aktivitete të ndryshme në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, kushtuar të drejtave të fëmijëve dhe ngritjes së vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e tyre në shoqëri.

Me këtë rast, në vendet e rajonit mbahen aktivitete të shumta me anë të të cilave synohet të theksohet rëndësia e respektimit të të drejtave të popullatës më të re në botë, por edhe për të njoftuar mbi situatën dhe për të kërkuar respekt më të madh për të drejtat e tyre.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Anadolu Agency (AA), edhe pse në legjislacionet e vendeve të rajonit ekzistojnë ligjet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të drejtat e një përqindjeje të fëmijëve përsëri shkelen në aspektin e ushtrimit të dhunës ndaj tyre në mënyra të ndryshme, në punësimin e tyre përfshirë në punë fizike dhe të vështira, si dhe në aspektin e varfërisë.

Varfëria dhe puna në kushte të vështira, problemi më i madh i të rinjve në Kosovë 

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga gjithsej 1.783.531 banorë që jetojnë në Republikën e Kosovës, 30 për qind e tyre apo 535.059 janë fëmijë.

Përmes një deklarate me shkrim, Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë (KOMF), për AA thotë se gjendja e fëmijëve apo pozicioni i tyre në Kosovë ka ende nevojë për më tepër zbatim të ligjeve, shërbimeve cilësore, koordinim ndër-institucional si dhe rritje të vetëdijësimit për të drejtat e tyre.

Sipas KOMF-it, problemi më i madh i të rinjve në vend është varfëria, puna në kushte të vështira, dhuna dhe mospërfitimi nga shërbimet arsimore, shëndetësore e sociale. Siç thonë nga atje, 20.7 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri, ndërsa 10.7 për qind nga numri i përgjithshëm janë të përfshirë në punë, prej të cilëve 6.8 për qind punojnë në kushte të rrezikshme.

Duke u bazuar në të dhënat e ASK-së, KOMF thekson se 61.4 për qind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç kanë pësuar nga dhuna psikologjike dhe fizike, ndërsa në lidhje me fëmijët me aftësi të kufizuara 10 për qind e tyre përfitojnë nga shërbimet shëndetësore, arsimore dhe shërbimet sociale.

Ekziston nevoja për ndërhyrje edhe në fëmijët e komuniteteve pakicë në Kosovë

Koalicioni KOMF thekson se edhe pse në Kosovë ka një avancim në aspektin e rregullimit të legjislacionit për fëmijët, zbatimi i tij vazhdon të mbetet sfidë, gjë e cila shpesh rezulton në shkelje flagrante të të drejtave të fëmijëve. Mirëpo, ky koalicion thotë se “pavarësisht se Kosova nuk mund ta ratifikojë Konventën për të Drejtat e Fëmijës për shkak të statusit politik, vendi ka inkorporuar nenet e Konventës përgjatë gjithë legjislacionit në fuqi, duke nisur prej Kushtetutës.

Më tej, KOMF thotë se disa aspekte flagrante dëshmojnë se ekziston nevoja për ndërhyrje edhe në fëmijët e komuniteteve pakicë, duke veçuar fëmijët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë. Sipas këtij koalicioni, një në tre fëmijë nga këto komunitete pakicë janë të vaksionuar, 17 për qind e tyre janë të angazhuar në punë, ndërsa 43 për qind e femrave të moshës nën 18 vjeçare janë të martuara.

Në vitin 2016, në Kosovë 41 fëmijë janë braktisur

Në Kosovë, sipas të dhënave të koalicionit KOMF, numri i fëmijëve të braktisur gjatë vitit 2016 ishte 41 dhe ky numër është pothuajse i njëjtë me vitet e kaluara. Nga atje theksojnë se legjislacioni dhe shërbimet janë relativisht të avancuara për mbrojtje dhe përkudesje për këta fëmijë, edhe atë me disa mënyra strehimi alternativ, duke filluar prej atij familjar, strehimit rezidencial në strehimore dhe deri në zgjidhen afatgjate, që është adoptimi i tyre.

Njëra prej organizatave, që bashkëpunon me koalicionin KOMF, është edhe “SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë”, e cila që nga viti 2000 ofron strehim dhe përkudesje 24 orëshe për foshnjat, fëmijët dhe të rinjtë pa përkudesje prindërore. Ariana Shala nga kjo organizatë, në një prononcim për AA bëri të ditur se kjo organizatë aktualisht ofron përkudesje 24 orëshe për 69 fëmijë.

Ajo njoftoi se kjo organizatë, e cila vepron edhe në partneritet me institucionet shtetërore, posedon programe të tilla si ‘SOS Familjet’, ‘SOS Nënat’, ‘SOS Tezet’, e të tjera. Përmes këtyre programeve, këta fëmijë angazhohen me aktivitete të ndryshme, përfshirë ato arsimore, kulturore dhe sportive, duke shtuar më tej se ekipi për përkujdesjen e fëmijëve përbëhet edhe nga psikolog, pedagog, punëtor social dhe pediatër.

“Ne ofrojmë shërbim me bazë në familje që nënkupton se edhe këto 'SOS Familjet' që i krijojmë janë familje që ofrojnë shërbime sikurse një familje biologjike, por çdo herë duke i ruajtur raportet dhe marrëdhëniet me familjarët e vetë. Po e them është si një familje për shkak se personi përgjegjës, pra 'SOS Nëna', merr pjesë në mbledhje të prindërve, në aktivitetet e fëmijës, ajo e di cili fëmijë në cilën shkollë është. Në të njejtën kohë çfarë lloj aktiviteti ka edhe fëmijët i tregojnë 'SOS Nënës' për çka do që ata preukupohen. Fëmijët tanë shkojnë në shkolla publike si çdo fëmijë tjetër”, shprehet Shala.

Në kuadër të kujdesit alternativ Shala tha se ndodhet edhe Shtëpia e Rinisë apo programi i gjysëm-pavarësimit, ku ofrojnë përkujdesje dhe shërbime për fëmijët dhe të rinjtë mbi moshën 14 vjeçare. Pas Shtëpisë së Rinisë, Shala njofton se të rinjtë kalojnë në programin 3-vjeçar të gjysëm-pavarësimit, ku ata shkëputen fizikisht nga programi SOS, fillojnë jetën e pavarur, por me përkrahjen e programit.

Maqedoni, të drejtat e fëmijëve më së shpeshti shkelen në procedurat e divorcit

Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, në Republikën e Maqedonisë jetojnë 468.292 fëmijë (0-18 vjeç), prej të cilëve, pjesa e popullsisë së re (0-14 vjeç) është 16.6 për qind nga popullsia e përgjithshme, që është 2.072.490 banorë.

Nga Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë “Megjashi” për AA bëjnë të ditur se nga nëntori i vitit 2016 deri në maj të vitit 2017, tek Megjashi janë raportuar 44 raste për 50 fëmijë në dyshim për shkelje të disa prej të drejtave të fëmijëve. Megjashi thotë se më shpesh janë raportuar shkelje e të drejtave të fëmijëve në procedurat e divorcit, për çka janë raportuar 27 fëmijë si viktima të mundshme të shkeljes së të drejtës së tyre.

“Me praktikën aktuale në martesat e divorcuara shpesh shkelen të drejtat e fëmijëve, barazia ndërmjet prindërve dhe diskriminohet si një nga prindërit ashtu edhe fëmija duke u detyruar të rritet dhe zhvillohet kryesisht me një prind”, theksojnë nga Megjashi.

Ata apelojnë për disa ndryshime në këtë ligj, përfshirë futjen e një dispozite për kryerjen e barabartë të përgjegjësive prindërore edhe pas divorcit, pavarësisht nga statusi i divorcit të dy prindërit të vazhdojnë të jenë njëlloj përgjegjës dhe së bashku të marrin vendimet e rëndësishme për jetën e fëmijës.

Statistikat tregojnë se numri i divorceve në Maqedoni çdo vit në vit po rritet dhe shifra ka arritur mbi dy mijë divorce në vit. Sipas një vlerësimi të përafërt, ka të paktën një mijë fëmijë në vit të cilëve u kufizohet për të parë prindin tjetër. Ndërsa, kur të shtohen edhe të afërmit tjerë, numri i personave të pakënaqur, në vit, rritet pesë deri gjashtë mijë.

Në Maqedoni bie numri i fëmijëve në shtëpitë për përkujdesjen e jetimëve

Udhëheqësja e personelit arsimor në Shtëpinë e Jetimëve “11 Tetori” – Shkup, Irena Aleksovska, në një prononcim për AA tha se institucioni në të cilin ajo vepron është institucioni i vetëm në Maqedoni, që kujdeset për jetimët dhe fëmijët pa kujdes prindëror.

Ky institucion, aktualisht përkujdeset për 44 fëmijë jetimë dhe pa kujdes prindëror të moshës nga 3 deri në 18 vjeç, të cilët janë të përfshirë në arsim të rregullt dhe të mesëm, ndërsa për fëmijët në moshë parashkollore janë angazhuar që për t’i përfshirë në çerdhet më të afërta, që të përgatiten edhe ato për në procesin shkollor.

Aleksova theksoi se viteve të fundit, numri i fëmijëve për të cilët përkujdeset institucioni ka rënë me shpejtësi.

“Para dhjetë vitesh ne kemi punuar me një numër që ka arritur deri në 100 fëmijë, por procesi i de-institucionalizimit dhe rëndësia më e madhe nga familjet kujdestare normal që e ka ulur numrin e fëmijëve. Me mbështetje psikologjike, ekipi ynë i ekspertëve, si pedagog, psikolog dhe punëtor social janë në dispozicion dhe ndihmë fëmijët në socializimin, procesin arsimor dhe në ndonjë vështirësi psikologjike që kanë”, tha Aleksovska për AA.

Shqipëri, varfëria nxit fëmijët drejt punës

Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, grupmosha 0-14 vjeç paraqet tendencë në rënie në vend, duke zënë vetëm 18 për qind në 1 janar të vitit 2017, krahasuar me rreth 30 për qind që zinte në 1 janar të vitit 2001 të popullsisë së përgjithshme të vendit, që në janar 2017, popullsia banuese e Shqipërisë përllogaritet në 2.876.591 banorë.

Në raportet e Avokatit të Popullit të Shqipërisë, vihen në dukje problematikat që hasin fëmijët sot, ku theksohet se ka shumë arsye që i nxisin fëmijët drejt punës, ku faktori më i rëndësishëm mbetet varfëria, ndërsa më pas mungesa e qasjes në arsim.

Familjet e varfra i shtyjnë fëmijët të punojnë në mënyrë që të shtojnë të ardhurat e tyre të pamjaftueshme. Theksohet se në grupimin e fëmijëve që shfrytëzohen për të punuar, përfshihen të gjithë ata fëmijë që kryejnë punë në ndihmë të familjes së tyre, apo për nevojat e tyre të mbijetesës, pa mbushur moshën 18 vjeç.

Sipas këtij institucioni, pavarësisht moshës së lejuar për punë, të përcaktuar taksativisht nga ligji, puna e fëmijëve nën moshën e parashikuar me ligj është një dukuri që po haset dendur. Një nga kategoritë më të ekspozuara ndaj shfrytëzimit për punë apo krimeve të ndryshme janë fëmijët e paregjistruar në gjendjen civile. Në kategoritë e fëmijëve që punojnë në sektorin joformal të ekonomisë, kryesisht konsiderohen ato që punojnë si shitës ambulantë, pastrues të makinave në semaforë etj.

Sa i përket, mbrojtjes ligjore për fëmijët në Shqipëri është miratuar edhe një Ligjii për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, që përcakton të drejtat dhe mbrojtjen që gëzon çdo fëmijë, mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse, që garantojnë me efektivitet ushtrimin, respektimin, promovimin e këtyre të drejtave si dhe mbrojtjen e veçantë të fëmijës.

Gjithashtu është në fuqi edhe ligji për mbrojtën nga diskriminimi, i cili rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë, etj.

Në Shqipëri në disa qytete të vendit ka institucione rezidenciale publike të përkujdesit ndaj fëmijëve. Ndërsa njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve funksionojnë brenda strukturës administrative të bashkisë si njësi e posaçme ose si njësi e strukturave të ngarkuara me çështje sociale dhe kanë për detyrë të identifikojnë dhe menaxhojnë rastet e fëmijëve në rrezik.

Ndërkohë një nismë e fundit në kuadër të mbrojtjes dhe mbështetjes së të drejtave të fëmijëve, është edhe rizgjidhja e grupit parlamentar "Miqtë e Fëmijëve", për legjislaturën e IX-të të Kuvendit të Shqipërisë. 

Sipas Kuvendit të Shqipërisë, Grupi “Miqtë e Fëmijëve” synon të sigurojë një dialog konstruktiv mes institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve kyç, për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në të gjitha fushat, nga niveli vendor e deri në atë qendror.

Në nëntor 2013, Kuvendi i Shqipërisë poshtu ka miratuar Rezolutën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın