Politikë

“Bashkëpunimi lokal, nismë për mirëbesim mes Maqedonisë dhe Greqisë”

Do të punojmë në mënyrë sistematike me grupet e punës që do ta formojmë me Shkupin dhe qytetet tjera që do të lidhen me Selanikun sepse si qytet, ne kemi një vullnet të fortë për të përmirësuar lidhjet mes popujve tanë”

Bekim Laci  | 16.11.2017 - Përdıtësım : 17.11.2017
“Bashkëpunimi lokal, nismë për mirëbesim mes Maqedonisë dhe Greqisë” Fotoreporter: Bekim Laci / AA

Shkup

SHKUP (AA) - Kryebashkiaku i Selanikut, Yiannis Boutaris, i cili po qëndron për një vizitë në Shkup, është pritur në një takim nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në të cilin, ndër të tjera është disktuar edhe projekti i kanalit Vardar-Danub, i cili është i një rëndësie të madhe për qytetin e Shkupit dhe Selanikut, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, Zaev tha se me mysafirin grek është biseduar për çështjet të cilat prekin interesin e përbashkët, me theks të veçantë tek çështjet të cilat do të afrojnë mes vete qytetarët e Maqedonisë dhe Greqisë.

Kryeminsitri maqedonas tha se është i rëndësishëm secili kontribut i cili krijon ambient të mirëbesimit në avancimin e dialogut mes Maqedonisë dhe Greqisë, duke nënvizuar bashkëpunimin ndërkufitar, i cili sipas tij, inicon bashkëpunim në fushën e turizmit, biznesit dhe kulturës të cilat mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e mirëbesimit mes dy shteteve.

“Sot këtë e konfirmuam si dhe konfirmuam nismën për bashkëpunim mes dy shteteve. Te ne, së fundmi përfunduan me sukses zgjedhjet lokale, dhe jam i sigurt se komunat tona do të vendosin në dispozicion pjesë të kapaciteteve të tyre për të bashkëpunuar me autoritetet e vendeve fqinje, në veçanti me ato të Greqisë”, tha Zaev, i cili në emër të qeverisë premtoi përkrahjen e plotë për zbatimin e formave të bashkëpunimit.

Zaev shtoi se në takim është informuar për dinamizimin e bashkëpunimit në nivel lokal, që është bidseduar në takimin mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe kryebashkiakut të Selanikut muajin e kaluar në Selanik, ku janë shqyrtuar tema konkrete për themelimin e një grupi të punës i cili do të përfshin më shumë komuna nga të dyja shtetet për projekte të bashkëpunimit me fonde të BE-së.

Nga ana tjetër, Boutaris tha se bashkëpunimi i pushteteve lokale, është një nismë e mirë e cila mund të çojë në bashkëpunim ndërshtetëror. Ai, më tej, theksoi se ka informuar kryeministrin Zaev për bisedën me ministrin Dimitrov mbi projektin e kanalit Vardar-Danub, si dhe për një sërë çështjesh të tjera nga fusha e kulturës, ekologjisë dhe arsimit në të cilat mund të ketë një bashkëpunim.

“Do të punojmë në mënyrë sistematike me grupet e punës që do ta formojmë me Shkupin dhe qytetet tjera që do të lidhen me Selanikun sepse si qytet, ne kemi një vullnet të fortë për të përmirësuar lidhjet mes popujve tanë”, tha Boutaris, sipas të cilit kjo qasje do të prish të gjitha barrierat që ekzistojnë.

Një nga çështjet e dakorduara në takim është nisma e presidentit Ivanov, që do të zbatohet pranverën e ardhshme, përkatësisht regata në lumin Vardar të mos përfundojë në kufi, por në Selanik.

Në takim, poashtu është trajtuar shtimi i aktiviteteve të përbashkëta kulturore, si themelimi i një festivali muzikor që do të mbahet në Shkup dhe Selanik, ku do të ftohen edhe kryeqytetet tjera të rajonit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.