Turqia

Erdoğan: Turqia synon të prodhojë tanke pa drejtues

Erdoğan shtoi se buxheti i Turqisë për projektet e mbrojtjes ishte 5.5 miliardë dollarë në vitin 2002 dhe ka tejkaluar 41 miliardë në vitin 2017

Selma Kasap  | 21.02.2018 - Përdıtësım : 21.02.2018
Erdoğan: Turqia synon të prodhojë tanke pa drejtues Fatih Aktaş/AA

Ankara

ANKARA (AA) – Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi i tij synon të prodhojë tanke pa drejtues, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në edicionin e 11-të të Takimit të Publicitetit të Planit të Zhvillimit, Erdoğan shprehu mirënjohje për prodhuesit e mjeteve ajrore pa drejtues të përdorura në operacionin kundër-terrorist të Turqisë në Afrin dhe theksoi se, “Pothuajse të gjithë mbartësit e blinduar të personelit në Afrin janë bërë në vend”.

Më 20 janar, Turqia nisi operacionin Dega e Ullirit për të pastruar terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini i Sirisë veriperëndimore.

Shtabi i Përgjithshëm i Turqisë ka thënë se operacioni në Afrin ka për qëllim krijimin e sigurisë dhe stabilitetit përgjatë kufijve turq dhe rajonit, si dhe mbrojtjen e sirianëve nga shtypja dhe mizoria terroriste.

Nga atje thanë se operacioni është duke u zhvilluar në kuadrin e të drejtave të Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Ushtria poashtu tha se “kujdes dhe ndjeshmëri më e madhe” po vihej në shmangien e dëmtimit të civilëve.

Duke folur mbi mjetet ajrore pa drejtues të Turqisë, presidenti Erdoğan tha se Turqia i prodhon vet. “Ne do të bëjmë një hap më tej. Tani duhet të prodhojmë tanke pa drejtues dhe do ta bëjmë”, tha ai.

Dy sektorët, ai publik dhe ai privat në Turqi, tha ai, po bashkëpunojnë në fushën e mbrojtjes.

Presidenti turk bëri të ditur se buxheti i Turqisë për projektet e mbrojtjes në vitin 2002 ishte 5.5 miliardë dollarë dhe në vitin 2017 ajo shumë ka tejkaluar 41 miliardë. Ai tha se eksportet e vendit, që ishin 36 miliard dollarë në vitn 2002, kanë kaluar 157 miliardë në vitin 2017.

“Ne kemi zhvilluar vizionin tonë 2023 për ta bërë Turqinë një nga 10 ekonomitë më të mëdha në botë në 100 vjetorin e themelimit të Republikës Turke. Unë besoj se kombet, të cilët nuk janë në gjendje të planifikojnë të ardhmen e tyre, janë të detyruar të jenë pjesë e planeve të të tjerëve”, deklaroi presidenti Erdoğan.

Më tej, Erdoğan tha se vendi i tij ka investuar në infrastrukturën fizike dhe në burimet njerëzore që nga viti 2002, kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) erdhi në pushtet.

Presidenti turk tha se ata i mundësuan Turqisë të hapërojë përpara në të gjitha fushat me investime drejt infrastrukturës së transportit, energjisë dhe bujqësisë, si dhe në fushën e arsimit dhe shëndetit.

“Siç dihet, Turqia nuk është e pasur në aspektin e resurseve natyrore në krahasim me shumë vende në rajonin tonë. Megjithatë, ne jemi shumë të mirë në industrializimin e bazuar në informacion dhe teknologji”, shtoi Erdoğan.

Siç tha ai, ata kanë rritur të ardhurat e Turqisë për kokë banori në nivelin prej 11 mijë dollarë nga 3.500 dhe kjo “është një rritje historike”.

Presidenti turk tha se ata poashtu kanë rritur të ardhurat kombëtare të Turqisë në 863 miliardë dollarë në vitin 2016, shifër e cila ishte 236 miliardë dollarë në vitin 2002 dhe me këtë performancë rritjeje ata krijuan 8.3 milionë vende pune në 10 vitet e fundit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.