Turqia

"Skandali në stërvitjen e NATO-s, një nga më të mëdhatë në historinë e aleancës"

"Ky është një nga skandalet më të mëdha në historinë e NATO-s. Është situatë e papranueshme dhe mosdije e hapur e kufijve", tha Bozdağ para gazetarëve në Ankara

Duygu Yener  | 20.11.2017 - Përdıtësım : 21.11.2017
"Skandali në stërvitjen e NATO-s, një nga më të mëdhatë në historinë e aleancës"

Ankara

ANKARA (AA) - Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bekir Bozdağ, e ka quajtur skandalin gjatë stërvitjes së NATO-s javën e kaluar në Norvegji si një nga skandalet më të mëdha në historinë e aleancës, raporton Anadolu Agency (AA).

"Ky është një nga skandalet më të mëdha në historinë e NATO-s. Është situatë e papranueshme dhe mosdije e hapur e kufijve", tha Bozdağ para gazetarëve në Ankara, pas një mbledhjeje të kabinetit të ministrave.

"Ne deklarojmë qartë se ky incident nuk duhet të fshihet", shtoi Bozdağ.

Turqia u tërhoq nga stërvitja Trident Javelin e NATO-s në Norvegji të premten, pasi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, u përshkrua si "bashkëpunëtor i armikut", ndërsa themeluesi i Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, u shfaq në një "listë të liderëve armiq" në një simulim kompjuterik.

Pas incidentit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i kërkoi falje Turqisë në një deklaratë me shkrim, persedentit Erdoğan në një bisedë telefonike dhe personalisht Shefit të Shtatmadhorisë së Turqisë, Hulusi Akar, gjatë një takimi në Kanada.

Ndërkaq, Bozdağ ka folur edhe për arrestimin e biznesmenit turko-iranian Reza Zarrab në New York, duke thënë se procesi gjyqësor në fjalë është një komplot kundër Turqisë.

"Ne deklarojmë qartë se ky proces është politik, nuk ka bazë ligjore dhe është një komplot kundër Turqisë. Ata që e bëjnë gjykimin ushtrojnë presion mbi të pandehurit", tha ai.

Zarrab ndodhet në paraburgim dhe pret gjykimin në SHBA. Ai u arrestua vitin e kaluar për mashtrime të pretenduara dhe akuza lidhur me sanksionet ndaj Iranit.

Turqia ka nisur hetim ndaj dy juristëve amerikanë, përfshirë një ish-prokuror dhe një prokuror aktual në SHBA, të cilët janë të përfshirë në procesin gjyqësor kundër qytetarëve turq në New York.

Prokuroria Publike në Stamboll të shtunën akuzoi ish-prokurorin amerikan Preet Bharara dhe prokurorin aktual amerikan Joon H. Kim për qarkun jugor të New York-ut për përdorimin e informacioneve dhe dokumenteve nga hetimet e mëparshme në Turqi për një lëndë në vazhdim në SHBA.

Bharara, i cili kishte nisur hetim kundër Zarrab, është shkarkuar më 11 mars.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın