Ekip
28 Gusht 2019•Përditësim: 28 Gusht 2019
Fraksionet palestineze kanë dënuar dy sulmet me bomba që vranë tre zyrtarë të policisë në qytetin e Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet që kishin për cak dy pika të kontrollit të policisë në qytet.
"Këto ngjarje të dyshimta nuk i shërbejnë askujt, përpos okupimit (izraelit)", tha në një deklaratë zëdhënësi i Hamasit, Fawzi Barhoum.
Ai tha se grupi i Hamasit, që qeveris me Rripin e Gazës, "nuk do të tolerojë çfarëdo përpjekje për të ndërhyrë në sigurinë në Gaza".
"Ajo çfarë okupimi (izraelit) dështoi ta arrijë në Gaza, nuk do të arrihet përmes këtyre ngjarjeve të dyshimta", tha ai.
Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP) në një kumtesë i përshkroi sulmet si "vepër kriminale", duke bërë thirrje për sjelljen e autorëve para përgjegjësisë.
Grupi akuzoi Izraelin për këto sulme, për të cilat tha se "synon që të dëmtojë sigurinë dhe stabilitetin në Gaza dhe të godasë rezistencën palestineze".
PFLP tha se kundërshton "çdo përpjekje për të ndërhyrë në sigurinë dhe jetën e qytetarëve të Gazës".
Grupi Xhihadi Islamik tha se sulmet kanë për qëllim që t'u shërbejnë interesave izraelite.
"Ky akt i pabesë dhe kriminal shënjestron popullin palestinez dhe i shërben vetëm okupimit izraelit", thuhet në një deklaratë të këtij grupi.