Fatjon Cuka
27 Dhjetor 2018•Përditësim: 28 Dhjetor 2018
TIRANË (AA) - Urgjencave mjekësore në Shqipëri do t’i shtohen dhjetëra autoambulanca të reja, si pjesë e procesit të modernizmit të këtij shërbimi, të cilat do të jenë për shërbim në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Për sistemin e urgjencës në Shqipëri do të ofrojë kontribut edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), e cila do të dhurojë pesë autoambulanca, që pritet të mbërrijnë në muajt të vazhdim.
Në aktivitetin e prezantimit të autoambulancave të reja në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në fjalën e tij tha se sot Urgjenca Kombëtare Mjekësore është një sistem tërësisht autonom që funksionon i lidhur drejtpërdrejt me çdo qytetar në nevojë.
"Urgjenca është shndërruar nga një shërbim i degraduar në një shërbim që garanton asistencën bazë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ne i dyfishuam investimet në shërbimet shëndetësore përgjatë këtij viti. Personeli i urgjencës krahasuar me pesë vite më parë sot është i dyfishuar. Kemi një urgjencë kombëtare e cila është në gjendje t’i përgjigjet në kohë reale çdo thirrje dhe çdo shërbim sot regjistrohet online. Janë 52 autoambulanca të reja që i janë shtuar flotës, por janë edhe 100 sete moderne që janë integruar në autoambulancat e trashëguara. Sot kemi një urgjencë kombëtare 24 ore në 7 ditë", tha Rama.
Kryeministri i Shqipërisë theksoi se Urgjenca Kombëtare Mjekësore është pranë njerëzve dhe shtoi se duhet të jetë edhe shumë më pranë. Rama tha se do të vazhdojnë të investojnë dhe përmirësojnë të gjithë sistemin e shërbimit parësor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj tha se urgjenca mjekësore në territor do të forcohet në kapacitete njerëzore, mjekësore dhe motorike. "Çdo qytetar mund të marrë shërbim në urgjencë në kohë dhe problematikat i kemi adresuar për t'u zgjidhur”, tha ministrja Manastirliu.
Nga Shqipëria janë blerë 52 autoambulanca në 3 vite, ndërsa 32 autoambulanca që u prezantuan sot pritet të shërbejnë në të gjithë vendin.