Thaçi takon presidentin e KE-së, Jean-Claude Juncker
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është pritur nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me të cilin ka bashkëbiseduar për çështjet e interesit të ndërsjellë
Sibel Vezaj
09 shkurt 2017•Përditësim: 10 shkurt 2017
PrishtinëPRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është pritur nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me të cilin ka bashkëbiseduar për çështjet e interesit të ndërsjellë në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca thuhet se me këtë rast Thaçi ka theksuar se rëndësinë emergjente të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
"I vetëdijshëm se nuk ka çështje më të rëndësishme dhe më emergjente për Kosovën dhe qytetarët tanë se sa përfundimi i izolimit të padrejtë ndaj qytetarëve tanë, fokusi im ishte tek përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave", ka thënë pas takimit presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, presidenti Juncker ka treguar vullnet për ta përmbyllur këtë proces “të stërzgjatur”, duke bërë të qartë se do ta ketë të pamundur ta përmbyllë këtë proces nëse Parlamenti i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Ndërkaq, presidenti Thaçi ka thënë se për BE-në është e pakuptueshme se si ka mundësi që kosovarët e duan dhe e kërkojnë kaq shumë liberalizimin e vizave, ndërsa përfaqësuesit e tyre, deputetët e Parlamentit të Kosovës, iu pamundësojnë lëvizjen pa viza qytetarëve të vet, duke mos e votuar këtë marrëveshje.
“Kjo situatë është krejtësisht absurde dhe e papranueshme dhe të gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës janë përgjegjës për këtë izolim të padrejtë. Prandaj, unë edhe një herë u bëj ftesë, në emër të qytetarëve të Kosovës, që të vendosin interesin e Kosovës dhe të qytetarëve tanë përpara interesave të tyre personale dhe partiake. Vota e tyre pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion i jep fund izolimit të padrejtë të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Gjatë vizitës dyditore në Bruksel, presidenti Thaçi dje u takua edhe me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe me Presidentin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, nga të cilët ka kërkuar mbështetje për perspektivën evropiane të Kosovës.