Abdula Berisha
10 qershor 2020•Përditësim: 10 qershor 2020
Zv/kryeministrja dhe njëherësh Ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, mori pjesë në ceremoninë me rastin e shënimit të 10 Qershorit - Ditës së Brigadës Ajrore VING që u organizua në kazermën "Strasho Pinxhur" në Petrovec të Shkupit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Si pjesë e ceremonisë, dy avionë të tipit F-16 të aviacionit grek, të cilët kryejnë patrullim të rregullt në territorin e Maqedonisë së Veriut në kuadër të NATO-s, realizuan një fluturim demonstrativ.
Në fjalimin e saj para të pranishmëve, ministrja Shekerinska theksoi se procesi i suksesshëm i anëtarësimit të vendit në NATO vërehet edhe gjatë ceremonive festive, duke shtuar se vendi është i përkushtuar të investojë në Forcat Ajrore.
"Padyshim që aviacioni është pjesa e ushtrisë që ka nevojë për më shumë fonde dhe më shumë investime dhe ne kemi treguar se jemi të gatshëm për investime në personel, por edhe për investime në pajisje. Sipas planit tonë afatgjatë për zhvillimin e mbrojtjes, në vitet e ardhshme është planifikuar modernizimi i Forcave Ajrore", theksoi Shekerinska.
Fjalim kishte edhe komandanti i njësisë VING, koloneli Stojko Pejovski, i cili rikujtoi se më 10 qershor të vitit 1992 Forcat Ajrore të Maqedonisë së Veriut realizuan fluturimin e parë, që siç u shpreh ai, është një ngjarje historike për vendin.
"Fillimet e zhvillimit të aviacionit u pasuan nga një seri sfidash. Me fonde modeste në periudhën fillestare, që shtoheshin nga viti në vit, ne kemi arritur një nivel me infrastrukturë dhe teknologji të respektueshme", tha Pejovski.
Ai gjithashtu u shpreh se gjatë viteve të kaluara janë shënuar edhe fatkeqësi në kuadër të Forcave Ajrore, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që humbën jetën me një minutë heshtje.
Në kuadër të ceremonisë, u intonua himni i Maqedonisë së Veriut, i NATO-s dhe i Forcave Ajrore të Maqedonisë së Veriut, ndërsa fluturim demonstrativ realizuan edhe disa helikopterë vendas.