İnci Gündağ
02 Mars 2018•Përditësim: 03 Mars 2018
LONDËR (AA) - Në dasmën e Princit Harry, një nga trashëgimtarët e fronit britanik dhe aktores amerikane Meghan Markle që do të mbahet në muajin maj do të marrin pjesë edhe të ftuar nga popullata, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi nga Pallati Kensington, rezidenca zyrtare e Princit Harry, 2.640 persona nga mesi i qytetarëve janë ftuar në dasmën e cila do të mbahet në Kështjellën e Windsorit në perëndim të Londrës më 19 maj.
Në deklaratë thuhet se të ftuarit në fjalë do të ndjekin ardhjen dhe shkuarjen e nuses dhe dhëndërrit, arritjen e të ftuarve të tjerë në pallat dhe ceremoninë e parakalimit.
Në listën e 2.640 personave të ftuar bëjnë pjesë persona që i shërbejnë familjes mbretërore, punonjës të fondacionit, fëmijë dhe disa banorë të Windsorit.
Çifti do të bashkangjitet në ceremoninë e parakalimit pas kurorëzimit që do të mbahet në Kishën St.George në Kështjellën e Windsorit.
Më pas, çifti do të kthehet prapa për të qenë mikpritës të një pritjeje solemne që do të organizohet për anëtarët e familjes dhe miqtë e afërt në Sallën St.George.
Kështjella e Windsorit
Kështjella e Windsorit, e cila gjendet një orë larg nga Londra, ende përdoret si rezidencë nga ana e Mbretëreshës Elizabeta e Dytë. Kështjella daton nga shekulli 11.
Kisha St. Goerge ka qenë vendi i shumë dasmave mbretërore gjatë historisë ndërsa njihet edhe si vendi i planifikuar për varrimin e Elizabetës së Dytë.
33-vjeçari Harry, i biri i Princit Charles, trashëgimtarit të fronit dhe Princeshës Diana, e cila në vitin 1997 humbi jetën në një aksident rrugor në Paris, është trashëgimtari i pestë i fronit.
Pas martesës, çifti do të jetojë në Pallatin Kensington.