Mustafa Deveci
30 Prill 2019•Përditësim: 01 Maj 2019
Izraeli ka marrë vendim për uljen në 6 milje detare distancën e peshkimit në Rripin e Gazës të cilën e mban nën rrethim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e bërë nga ushtria izraelite, distanca e peshkimit e cila muajin e kaluar për peshkatarët nga Gaza në disa rajone ishte rritur në 15 milje, sërish është zvogëluar në 6 milje detare.
Theksohet se vendimi është marrë për arsye se mbrëmë një raketë me rreze të gjatë është shkrepur nga Gaza në drejtim të Izraelit, duke u pretenduar se raketa në fjalë është shkrepur nga Lëvizja Xhihadi Islamik.
Distanca e peshkimit për peshkatarët palestinezë muajin e kaluar në zonën nga veriu i Rripit të Gazës e deri në portin e Gazës ishte rritur në 6 milje, në zonën nga porti në pjesën qendrore të qytetit 12 milje dhe në zonën në brigjet e qytetit Refah ishte rritur deri në 15 milje.
- Kufiri sipas Marrëveshjes së Oslos është 20 milje
Sipas marrëveshjes mes Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës të arritur në Oslo në vitin 1993, palestinezët kanë të drejtë të lëvizin lirisht deri në 20 milje. Por, Izraeli vazhdimisht pengon peshkatarët palestinezë duke shkelur këtë marrëveshje.
Sipas statistikave të Sindikatës së Peshkatarëve rreth 50 mijë njerëz në këtë rajon sigurojnë kafshatën e bukës nga 4 mijë peshkatarë.
Izraeli që nga viti 2006 është duke e mbajtur nën rrethim nga toka, ajri dhe deti Rripin e Gazës ku jetojnë rreth 2 milionë palestinezë.