Moustafa Maged Haboosh,Gülşen Topçu
06 Qershor 2019•Përditësim: 09 Qershor 2019
Izraeli ka zvogëluar distancën e peshkimit për peshkatarët në Rripin e bllokuar të Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).
Zekerija Bekr, zyrtar i Komitetit të Peshkatarëve që funksionon në kuadër të Lidhjes së Komiteteve të Punëve Bujqësore në Gaza, tha për AA se autoritetet izraelite, duke filluar nga dita e enjte, kanë vendosur të ulin distancën e peshkimit nga 15 në dhjetë milje detare.
Vendimi i Izraelit vjen pasi në fillim të javës autoritetet rritën distancën për peshkatarët palestinezë nga dhjetë në 15 milje.
Qeveria izraelite nuk ka bërë ndonjë deklaratë lidhur me këtë çështje.
Sipas marrëveshjes mes Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës të arritur në Oslo në vitin 1993, palestinezët kanë të drejtë të lëvizin lirshëm deri në 20 milje. Por, Izraeli vazhdimisht pengon peshkatarët palestinezë duke shkelur këtë marrëveshje.
Sipas statistikave të Sindikatës së Peshkatarëve, rreth katër mijë njerëz në rajon sigurojnë jetesën përmes peshkatarisë.
Izraeli që nga viti 2006 është duke e mbajtur nën rrethim nga toka, ajri dhe deti Rripin e Gazës ku jetojnë rreth dy milionë palestinezë.