Riyaz Khaliq Khaliq
02 tetor 2026•Përditësim: 02 tetor 2026
Kryeministrat e Japonisë dhe Katarit diskutuan sot për konfliktin midis SHBA-së dhe Iranit gjatë një takimi në Tokio, thuhet në një deklaratë zyrtare, transmeton Anadolu.
"Unë shpreha shqetësim të fortë për tensionet e vazhdueshme ushtarake që rrethojnë Iranin dhe përçarjen e rëndësishme të rendit detar të bazuar në rregulla", tha kryeministrja japoneze Sanae Takaichi në kompaninë amerikane të mediave sociale X pas takimit me homologun nga Katari, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Përpjekjet për t'i dhënë fund luftës, tashmë në muajin e saj të shtatë, kanë vazhduar që nga një marrëveshje kornizë e qershorit, e ndërmjetësuar nga Pakistani dhe Katari që synon arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes për lundrimin në rrugën strategjike ujore si dhe programin bërthamor të Iranit.
Gjatë luftës, përveç sulmeve amerikane ndaj Iranit, Teherani ka nisur edhe sulme ndaj bazave ushtarake amerikane dhe objekteve energjetike në shtetet e Gjirit si Katari. Takaichi përcolli "respektin e saj të thellë për rolin e rëndësishëm që po luan Katari si ndërmjetës dhe shprehu dëshirën për të bashkëpunuar ngushtë me Katarin drejt stabilizimit të hershëm të situatës".
Al Thani foli për "statusin aktual" të bisedimeve SHBA-Iran, tha Takaichi. Ajo i tha Al Thanit se "Japonia po formulon aktualisht një plan bashkëpunimi gjithëpërfshirës që synon rritjen e përmisimit ekonomik dhe qëndrueshmërinë energjetike të vendeve të Gjirit, përfshirë Katarin".
Në lidhjet dypalëshe, të dy palët diskutuan për partneritetin ekonomik me "një dëshirë për të forcuar bashkëpunimin jo vetëm në fushat tradicionale të energjisë, por edhe në fusha të ndryshme, përfshirë investimet dhe inteligjencën artificiale".
"Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me Katarin për të forcuar partneritetin strategjik midis dy vendeve tona", tha Takaichi. Al Thani, i cili është gjithashtu ministër i Jashtëm i Katarit, u takua edhe me homologun e tij japonez Toshimitsu Motegi, njoftoi Ministria e Jashtme e Japonisë.
Motegi shprehu "shqetësim të fortë" për ngërçin e zgjatur midis SHBA-së dhe Iranit, duke thënë se ndërprerja prej më shumë se gjashtë muajsh e lundrimit të lirë dhe të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit ka patur "ndikim të rëndësishëm në ekonominë globale".