Kanyshai Butun
02 tetor 2026•Përditësim: 02 tetor 2026
Kirgistani të enjten lëshoi satelitin e tij të parë në orbitë në bordin e një rakete SpaceX Falcon 9 që u nis nga toka amerikane, transmeton Anadolu.
Sipas shërbimit për media të Presidencës Kirgize, sateliti u vendos në orbitë nga Baza e Forcave Hapësinore Vandenberg e Kalifornisë si pjesë e një grupi anijesh kozmike të lëshuara nga e njëjta raketë.
Misioni ishte përpjekje e përbashkët midis Kirgistanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, me operacione që do të menaxhohen nga një qendër kontrolli në qytetin kirgiz Bishkek.
Presidenti kirgiz Sadyr Zhaparov mori pjesë në ceremoninë e lëshimit gjatë një vizite pune në SHBA.
Lëshimi hap mundësi të reja për Kirgistanin për të përdorur të dhëna të bazuara në hapësirë në sektorë të ndryshëm, përfshirë monitorimin e tokës bujqësore, akullnajave, trupave ujorë, pyjeve dhe kullotave si dhe ndjekjen e ndryshimeve në ekosistemet natyrore, thuhet në deklaratë.
Të dhënat satelitore do të përdoren gjithashtu për të zbuluar nxjerrjen e paligjshme të burimeve natyrore, deponitë e paautorizuara të mbeturinave dhe burime të tjera të ndotjes, si dhe për të optimizuar rrugët logjistike.
“Teknologjitë satelitore do të jenë veçanërisht të rëndësishme për monitorimin dhe zbulimin e hershëm të rreziqeve natyrore”, thuhet në deklaratë duke shtuar se të dhënat mund të ndihmojnë në identifikimin më të shpejtë të shenjave të thatësirave, përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut, rrjedhjeve të baltës dhe zjarreve në pyje, duke lejuar reagime në kohë dhe zbutjen e dëmeve të mundshme.
Në të ardhmen, të dhënat satelitore do të integrohen me sistemet dixhitale qeveritare për të krijuar harta hapësinore dhe modele analitike, thuhet në deklaratë. Të dhënat do të mbështesin vendimmarrjen qeveritare, planifikimin e investimeve dhe monitorimin e programeve shtetërore.
“Përdorimi i të dhënave satelitore të kombinuara me aftësitë e teknologjive të superkompjuterëve do të krijojë një bazë për menaxhim më të saktë dhe efikas të burimeve ekonomike dhe natyrore të Kirgistanit”, thuhet në të.