Büşra Nur Çakmak
13 shtator 2026•Përditësim: 13 shtator 2026
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, do të vizitojë Sirinë të sot dhe nesër, transmeton Anadolu.
Në kuadër të vizitës, thanë burime nga Ministria e Punëve të Jashtme, Fidan është planifikuar të takohet sot me homologun e tij sirian, Assad Hassan al-Shaibani, pas çka dy ministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Vizita e Fidanit në Siri më 13-14 shtator, gjatë së cilës ai gjithashtu do të pritet nga presidenti sirian, Ahmed al-Sharaa dhe të takohet me ministrin sirian të Punëve të Brendshme, Enes Hattab, është një tregues i bashkëpunimit të ngushtë të vendosur mes dy vendeve në të gjitha fushat që nga 8 dhjetori 2024.
Vizita pason takimet e Fidanit me al-Shaibanin në Ankara më 6 gusht dhe 8 shtator.
Gjatë takimeve, Fidan pritet të bëjë një vlerësim gjithëpërfshirës të përpjekjeve të shumëanshme të mbështetura nga Turqia për vendosjen e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit të qëndrueshëm në Siri, si dhe të marrëdhënieve dypalëshe, të cilat kanë shënuar përparim të konsiderueshëm që nga rënia e regjimit të mëparshëm.
Fidan gjithashtu pritet të ritheksojë vendosmërinë e Turqisë për të forcuar më tej kornizën institucionale dhe bazën ligjore të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Sirinë në një sërë fushash, përfshirë tregtinë, energjinë, transportin dhe ndërlidhjen, si dhe të ndajë vlerësimet e Ankarasë, veçanërisht në lidhje me projektet e ndërlidhjes rajonale.
Kryediplomati turk pritet të diskutojë zhvillimet lidhur me procesin e integrimit në Siri, i cili gjithashtu e prek nga afër Turqinë, veçanërisht shpërbërjen e SDF-së, si dhe të theksojë rëndësinë e zbatimit në kohë të vendimeve të marra për këtë çështje.
Fidan gjithashtu do të shkëmbejë pikëpamje mbi forcimin e autoritetit shtetëror në Siri mbi baza gjithëpërfshirëse dhe sigurimin që të gjithë përbërësit e shoqërisë siriane, përfshirë turkmenët sirianë, të kontribuojnë në unitetin dhe prosperitetin e vendit mbi bazën e qytetarisë së barabartë.
Ai pritet të rikonfirmojë se Turqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për ruajtjen e integritetit territorial, unitetit dhe sovranitetit të Sirisë, forcimin e institucioneve shtetërore, përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike dhe rivendosjen e lidhjeve të saj rajonale, si dhe përpjekjet për ndërtimin e një vendi ku populli sirian të mund të jetojë në paqe dhe prosperitet.
Fidan gjithashtu pritet të diskutojë situatën në jug të Sirisë dhe hapat e mundshëm që mund të ndërmerren së bashku me komunitetin ndërkombëtar në përgjigje të agresionit të Izraelit, i cili po kërcënon gjithnjë e më shumë sigurinë dhe stabilitetin e Sirisë.