Ekip
22 Shtator 2021•Përditësim: 23 Shtator 2021
Presidenti i Libanit, Michel Aoun ka deklaruar se nënshkrimi i një kontrate nga Izraeli për eksplorimin e naftës dhe gazit në një zonë detare të diskutueshme është në kundërshtim me negociatat indirekte të organizuara nga Kombet e Bashkuara (OKB) midis Bejrutit dhe Tel Avivit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi të lëshuar nga presidenca libaneze, duke folur në një takim me koordinatoren e posaçme të Libanit në OKB, Joanna Wronecka, presidenti Aoun shprehu kundërshtimin e vendit të tij ndaj nënshkrimit të kontratës së fundit nga Izraeli me një kompani amerikane për të kryer operacione të eksplorimit në zona të diskutueshme.
Aoun tha se operacionet e eksplorimit në zonën e diskutueshme duhet të ngrihen deri sa të arrihet një zgjidhje në negociatat indirekte midis Libanit dhe Izraelit.
Javën e kaluar, Izraeli nënshkroi një kontratë për eksplorimin e naftës dhe gazit me kompaninë amerikane 'Halliburton' për të kryer operacione eksplorimi në zonën detare të diskutueshme midis Izraelit dhe Libanit.
Në muajin tetor të vitit 2020, midis Libanit dhe Izraelit filloi raundi i parë i negociatave indirekte të organizuara nga OKB-ja dhe me ndërmjetësim të SHBA-së.
Libani është bllokuar në një mosmarrëveshje me Izraelin mbi një zonë në Detin Mesdhe që përfshin rreth 860 kilometra katrorë, të njohur si 'Zona No. 9', e cila është e pasur me naftë dhe gaz.
Kufijtë detarë midis Libanit dhe Izraelit nuk kanë regjistruar ndonjë konflikt, ndryshe nga kufijtë e tyre tokësor.
Grupi libanez 'Hezbollah' kontrollon zonën në kufi me Izraelin dhe herë pas here ndodhin tensione sporadike pasi Tel Avivi akuzon grupin shiit për përpjekje për shkelje të kufirit.