Rabia İclal Turan
01 Qershor 2020•Përditësim: 02 Qershor 2020
Përfaqësuesi i Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE) për Lirinë e Mediave, Harlem Desir, shprehu shqetësimin për valën e dhunës ndaj gazetarëve që raportojnë nga protestat e fundit nëpër SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Jam shumë i shqetësuar nga numri i incidenteve dhe sulmeve nga policia dhe demonstruesit kundër gazetarëve që mbulojnë protestat në SHBA gjatë ditëve të fundit", u shpreh Desir në një deklaratë me shkrim.
Protestat u përhapën në shumë shtete në SHBA pas vrasjes së George Floyd, një afro-amerikan i paarmatosur që u vra nga një oficer i bardhë i policisë në Minneapolis.
"Unë u bëj thirrje autoriteteve që të përmbahen dhe të sigurohen që gazetarët të mund të punojnë të sigurt ndërsa raportojnë për protestat publike", shkroi Desir, duke shtuar se "roli i mediave të lira duhet të ruhet në çdo kohë dhe gazetarët duhet të jenë të lirë të raportojnë pa u përballur me dhunë, arrestim ose frikësim”.
Shumë gazetarë vendas dhe ndërkombëtarë janë vënë në shënjestër të policisë që prej fillimit të protestave. Reporteri i CNN-së, Omar Jimenez dhe ekuipazhi i tij u arrestuan në Minneapolis të premten derisa ishin drejtpërdrejt në televizion, duke raportuar nga protestat.