Ikrame Imane Kouachi
30 shtator 2026•Përditësim: 30 shtator 2026
Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell ka bërë të ditur se SHBA-ja dhe partnerët e saj të koalicionit kanë përfunduar zyrtarisht Operacionin “Inherent Resolve” në Irak, transmeton Anadolu.
Parnell në një deklaratë tha se përfundimi i operacionit ishte në përputhje me deklaratën e përbashkët SHBA-Irak të shtatorit të vitit 2024 dhe interesat kombëtare të SHBA-së.
Ai tha se “tërheqja e rregullt” e forcave dhe pajisjeve të koalicionit nga Baza Ajrore Erbil shënoi “përfundimin me sukses” të misionit ushtarak që mposhti ISIS-in (DEASH) në Irak.
“Ky moment historik pasqyron suksesin e një fushate 12-vjeçare që mposhti ISIS-in si kërcënim ushtarak të organizuar në Irak dhe në të gjithë rajonin”, tha Parnell. Ai tha se ky zhvillim gjithashtu “shënon kalimin nga një mision i koalicionit në kohë lufte drejt një përpjekjeje për sigurinë të udhëhequr nga Iraku, të mbështetur nga një marrëdhënie më normale dypalëshe e sigurisë”.
“Ne presim që Forcat e Sigurisë së Irakut, përfshirë Peshmergat dhe forcat e tjera të sigurisë në Rajonin e Kurdistanit të Irakut, të udhëheqin përpjekjet e vazhdueshme për sigurimin e Irakut dhe mbajtjen nën kontroll të mbetjeve të ISIS-it”, tha Parnell.
Ai shtoi se Departamenti i Luftës do të vazhdojë t’u ofrojë partnerëve irakianë “trajnim të synuar dhe mbështetje në fushën e inteligjencës”.
“Përgjegjësia kryesore për trajtimin e sfidave të mbetura të sigurisë në Irak, përfshirë mbetjet e ISIS-it dhe milicitë e lidhura me Iranin që minojnë sovranitetin irakian dhe stabilitetin rajonal, tashmë i takon Qeverisë së Irakut. SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj luftës kundër terrorizmit dhe do të vazhdojë të punojë me Irakun dhe partnerët e tij për të siguruar që ISIS-i të mos mund të ri-organizohet kurrë nga territori irakian”, tha Parnell.
Parnell tha se SHBA-ja mbështet “një Irak të fortë dhe sovran”, i cili siguron kufijtë e tij, mbron popullin dhe shërben si bazë për “bashkëpunim më të thellë tregtar, diplomatik dhe të sigurisë” mes dy vendeve.
Në shtator të vitit 2024, Bagdadi dhe Washingtoni ranë dakord për t’i dhënë fund misionit ushtarak të koalicionit në Irak sipas një afati kohor që zgjatej deri në fund të shtatorit të vitit 2026, me një kalim drejt marrëdhënieve dypalëshe të sigurisë midis Irakut dhe shteteve anëtare të koalicionit.
Koalicioni u formua nën udhëheqjen e SHBA-së në vitin 2014, pasi ISIS-i pushtoi zona të mëdha të Irakut dhe Sirisë, duke u ofruar forcave irakiane mbështetje ajrore, inteligjencë dhe trajnim gjatë operacioneve kundër grupit.
Në dhjetor të vitit 2017, Iraku njoftoi se kishte rikthyer kontrollin e plotë mbi territoret e pushtuara nga ISIS-i.