Emre Gürkan Abay
14 Mars 2019•Përditësim: 14 Mars 2019
Autoritetet e Federatës Ruse kanë mbyllur hapësirën ajrore nacionale për fluturime të avionit Boeing 737 Max, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Departamentit federal rus për Aviacion (Rosaviatsiya) Aleksandr Neradko tha se hapësira ajrore ruse për shkak të sigurisë së pasagjerëve do të mbyllet për fluturimet komerciale të avionit Boeng 737 Max 8 dhe Boeing 737 Max 9.
Bëhet fjalë për modelin e avionit i cili të dielën u rrëzua në Addis Ababa, kryeqytetin e Etiopisë, ku humbën jetën 157 pasagjerë dhe anëtarët e ekuipazhit.
Pas rrëzimit të avionit në Etiopi, Turqia, Kanadaja, Singapori, Kina, Etiopia, Indonezia, Australia, Malajzia, Omani, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Holanda, Austria, Kazakistani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zelanda e Re, India, Bahreini dhe shumë vende të tjera mbyllën hapësirën ajrore të tyre ose pezulluan përkohësisht fluturimet në të cilat përdoren avionët Boeing 737 Max.