Emre Gürkan Abay
01 Dhjetor 2017•Përditësim: 02 Dhjetor 2017
MOSKË (AA) - Rusia që nga java e ardhshme ndalon hyrjen e medias amerikane në dhomën e ulët të Parlamentit rus, Duma, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryetarja e Komisionit Rregullator dhe Kontrollues të Dumas, Olga Savastyanova, në një konferencë shtypi në Moskë, tha se vendimi i cili ndalon hyrjen e medias amerikane në Duma do të hyjë në fuqi që nga java e ardhshme.
Duke theksuar se ky vendim është "kundërpërgjigje" ndaj SHBA-ve, Savastyanova tha: "Vendimi është marrë në kundërpërgjigje të heqjes së akreditimit të kanalit Russia Today (RT) për hyrje në Kongresin Amerikan në SHBA, pasi u cilësua me ligj si agjent i huaj".
Më 13 nëntor, pas një kërkese nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, kanali RT, i cili bën transmetime në SHBA, u regjistrua si "agjent i huaj" dhe Kongresi Amerikan hoqi akreditimin e kanalit për hyrje në ndërtesë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, më 25 nëntor nënshkroi ndryshime ligjore që poashtu i cilësoi si "agjentë të huaj" organizatat mediale që operojnë në Rusi dhe financohen nga jashtë.