Kasım İleri
19 Shkurt 2021•Përditësim: 19 Shkurt 2021
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, ka zhvilluar bisedë telefonike me ministrin saudit të Mbrojtjes dhe Princin e Kurorës Mohammed Bin Salman, gjatë së cilës është diskutuar vendimi i Washington-it për ndalimin e ndihmës për operacionet e koalicionit të kryesuar nga Arabia Saudite në Jemen, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Sekretari (Austin) dënoi sulmin ndërkufitar nga rebelët Houthi kundër Arabisë Saudite dhe theksoi angazhimin për mbrojtjen e kufijve të Arabisë Saudite", tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Kirby deklaroi se Austin gjithashtu ka tërhequr vëmendjen drejt partneritetit strategjik midis dy vendeve.
"Sekretari Austin përsëriti gjithashtu ndryshimin e politikës së SHBA-së ndaj koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, shprehu rëndësinë e përfundimit të luftës dhe falënderoi Princin e Kurorës për vendosmërinë e tij për zgjidhje", shtoi Kirby.
Kirby citoi sekretarin amerikan të ketë thënë se Arabia Saudite ka luajtur rol të rëndësishëm në sigurinë e rajonit dhe se dy vendet kanë theksuar vendosmërinë e përbashkët për ta luftuar terrorizmin dhe "sjelljet destabilizuese të Iranit".