Arif Yusuf,Safiye Karabacak
03 Tetor 2019•Përditësim: 04 Tetor 2019
Në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, është shpallur orë policore gjithëpërfshirëse për shkak të protestave anti-qeveritare që filluan të martën, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Irakut, Adil Abdulmehdi në deklaratën me shkrim tha se ka dhënë "udhëzim për orë policore gjithëpërfshirëse për të mbrojtur protestuesit, rendin publik dhe forcat e sigurisë së brendshme nga provokatorët që sulmojnë forcat e sigurisë dhe pronat private dhe publike".
Ai shtoi se forcat e sigurisë do të tolerojnë situatat emergjente humanitare, udhëtarët në aeroport dhe ata që do të marrin pjesë në aktivitetet Erbain, një aktivitet fetar shiit.
Ahmed Halef, zyrtar nga Drejtoria e Policisë së Bagdadit, në deklaratën për AA tha se duke filluar nga ora 05.00 sipas kohës lokale kanë filluar zbatimin e orës policore në tërë territorin e kryeqytetit deri në një njoftim të dytë.
Sipas tij, vendimi është marrë me udhëzimin e kryeministrit Abdulmehdi, duke tërhequr vëmendjen se protestuesit ende janë nëpër rrugë.
Në protestat anti-qeveritare që mbahen që nga 1 tetori në Irak kanë humbur jetën 12 persona.