Fatjon Cuka
17 gusht 2026•Përditësim: 17 gusht 2026
Në orët e fundit në territorin e Shqipërisë janë regjistruar 12 vatra zjarri, ndërkohë sipas autoriteteve 7 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se vatrat aktive vazhdojnë në Dibër, Tiranë, Mirditë dhe Pukë.
"Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 467 forca operacionale dhe 34 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 120 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor", thuhet në njoftim.
Sipas ministrisë, situata paraqitet në përmirësim në disa prej vatrave, ndërsa theksohet se kapacitetet tokësore dhe ajrore vijojnë të jenë të përqendruara në zonat aktive.
Gjithashtu thuhet se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) po ndjek në vazhdimësi situatën dhe koordinon angazhimin e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.
Në ditët e fundit Shqipëria është përfshirë nga zjarret që kanë shkaktuar dëme në pyje dhe zona të tjera.