Ömer Erdem
17 Prill 2019•Përditësim: 18 Prill 2019
Protestuesit në Sudan kanë reaguar ndaj deklaratave të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Egjiptit për mbështetje, transmeton Anadolu Anadolu Agency (AA).
Protestuesit që prej 11 ditësh vazhdojnë protestat e tyre para selisë së Shtabit të Përgjithshëm në Sudan. Duke kërkuar eliminimin e plotë të regjimit të ish-presidentit të përmbysur Omar al-Bashir dhe kalimin në qeverisjen civile protestuesit kanë reaguar edhe ndaj deklaratave të bëra për mbështetje nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Egjipti.
Me pankartat me mbishkrimet "Egjipt, Arabi Saudite dhe Emirate të Bashkuara Arabe (EBA) nuk dëshirojmë ndihmën tuaj", protestuesit kanë thënë se nuk duan që dikush të ndërhyjë në çështjet e tyre të brendshme dhe se nuk presin ndonjë ndihmë nga askush.
Ndërsa në një pankartë tjetër janë vërejtur mbishkrimet "Jo ndërhyrjes së EBA-ve dhe Arabisë Saudite nëpërmjet Egjiptit. Nuk duam mbështetjen e Arabisë Saudite dhe Egjiptit".
Pasi ushtria në Sudan më 11 prill njoftoi se ka marrë pushtetin dhe se ka filluar periudha e tranzicionit dyvjeçar, nga Arabia Saudite dhe EBA-të, erdhën deklarata për mbështetje financiare.
Në lajmin e agjencisë zyrtare saudite të lajmeve (SPA) thuhet se "Mbretëria e Arabisë Saudite mbështet hapat e ndërmarra nga Këshilli Ushtarak Kalimtar dhe njofton se qëndron në anënën e popullit të Sudanit". Po ashtu në lajm thuhej se mbreti saudit, Salman bin Abdulaziz ka dhënë udhëzimet për sigurimin e paketave të ndihmave që përfshijnë ilaçe, produkte nafte dhe grurë për Sudanin.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e EBA-ve thuhej se "Ne mbështesim dhe konfirmojmë hapat e ndërmarra nga Këshilli Ushtarak Kalimtar në Sudan për të qëndruar pranë popullit dhe për të siguruar sigurinë e jetës dhe të pronës".
Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi ka thënë se "Ne po ndjekim nga afër zhvillimet në Sudan për shkak të rëndësisë së saj rajonale dhe ndërkombëtare dhe për shkak të marrëdhënieve historike midis dy vendeve. Për të kapërcyer krizën dhe për të mbrojtur stabilitetin dhe sigurinë e vendit, është e nevojshme të mbështeten përpjekjet ndërkombëtare".