Ekip
27 Tetor 2020•Përditësim: 27 Tetor 2020
Sipas organizatës ndërkombëtare humanitare "Mjekët pa Kufij", si pasojë e përmbytjeve të mëdha në Sudanin e Jugut rreth 800 mijë persona kanë mbetur pa ushqim adekuat, ujë dhe strehim, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Shumë zona (në Sudanin e Jugut) janë përmbytur që nga muaji korrik, përderisa nivelet e lumejve vazhdojnë të rriten duke përkeqësuar më tej krizën", tha organizata ndërkombëtare humanitare.
Duke bërë përpjekje për të ofruar kujdes mjekësor në zonat e prekura të Nilit të Epërm, në Jonglei, Pibor dhe në shtete të tjera, organizata Mjekët pa Kufij tha se nevoja për kujdes mjekësor në Sudanin e Jugut "po rritet me një ngritje të mprehtë të rasteve të malaries dhe të frikës së shpërthimeve të sëmundjeve të tjera".
"Përmbytjet e këtij viti po ndodhin në sfondin e emergjencave të shumta, duke përfshirë virusin COVID-19, rritjen e dhunës dhe luftimeve, krizën ekonomike në rritje dhe nivelet e larta të pasigurisë ushqimore", tha Ibrahim Muhammad, shefi i misionit të organizatës në Sudanin e Jugut.
Duke pasur parasysh rreziqet e larta të shkaktuara nga zhvendosja dhe grumbullimi i njerëzve, kushtet e këqija të higjienës dhe mungesa e tualeteve funksionuese, Muhammad tha se aktualisht po përgatiten për një rritje të sëmundjeve në të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet, të tilla si sëmundjet diarre dhe malaria.
Përmbytjet po ashtu penguan banorët që të arrijnë objektet e kujdesit shëndetësor.
"Pista ajrore lokale është përmbytur, duke e bërë më të vështirë shpërndarjen e pajisjeve mjekësore ose dërgimin e pacientëve në institucione të tjera mjekësore kur është e nevojshme", tha organizata Mjekët pa Kufij.