Halit Süleyman
05 Nëntor 2016•Përditësim: 06 Nëntor 2016
HALEP (AA) - Njoftohet se 11 persona kanë humbur jetën dhe 25 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore të ndërmarra me "bomba me parashutë" ndaj fshatrave dhe rajoneve nën kontrollin e opozitarëve në qytetin Halep të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtari i mbrojtjes civile në Halep, Said Ahmed, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se avionët luftarakë të ushtrisë ruse kanë sulmuar me "bomba me parashutë" fshatin Ibin dhe rajonet Etarib, Daret Izze në perëndim të Halepit.
Ai ka konfirmuar se nga sulmet kanë humbur jetën 11 civilë, duke përfshirë gra dhe fëmijë si dhe janë plagosur 25 persona të tjerë. Ahmed ka shtuar se "Ekipet e mbrojtjes civile kanë nxjerrë shumë të vrarë dhe të plagosur nga rrënojat në fshatin Ibin, pas sulmeve të forcave ruse me bomba me parashutë. Nga bombardimet në Etarib dhe Daret Izze janë dëmtuar më shumë se 10 shtëpi."
Duke vënë në dukje se ekipet e mbrojtjes civile kanë shuar zjarret në disa shtëpi të shkaktuara për shkak të bombardimeve, Ahmed njoftoi se personat e plagosur në sulmet ajrore të Rusisë janë dërguar në spitalet e improvizuara.