Davit Kachkachishvili
22 Dhjetor 2023•Përditësim: 23 Dhjetor 2023
Ushtria ukrainase pretendon se ka shkatërruar 24 mjete ajrore pa pilot (dronë) të llojit "Shahed" të Rusisë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Forcat e Armatosura të Ukrainës thuhet se ushtria ruse në orët e natës ka kryer sulme me dronë ndaj territoreve të Ukrainës.
Më tej theksohet se 24 nga 28 dronët e llojit "Shahed" janë shkatërruar nga forcat e mbrojtjes ukrainase.
Shefi i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, Sergey Popko në një postim nga kanali Telegram tha se në orët e natës është kryer sulm me dronë ndaj Kievit.
"Sulmi është kryer me dronë të llojit 'Shahed'", theksoi Popko duke shtuar se një ndërtesë shumëkatëshe në lagjen Solomyansk të Kievit ka pësuar dëme të mëdha ndërsa ka shpërthyer edhe zjarr.
Ai tha se dy persona u plagosën si pasojë e sulmit në lagjen në fjalë.