Recep Şakar
28 Shtator 2017•Përditësim: 28 Shtator 2017
MELBURN (AA) - Shteti Ishull Vanuatu në Oqeanin Paqësor ka njoftuar se 11 mijë persona janë në rrezik në Ishullin Ambae për shkak të vullkanit Monaro Voui, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas gazetës "Vauatu Daily Post", kryeministri Charlot Salwai ka njoftuar se kanë vendosur të evakuojnë banorët e ishullit, pasi Enti Meteorologjik dhe Gjeologjik e ka ngritur në kategori të katërt alarmin e rrezikut pas rritjes së lëvizjeve sizmike në vullkanin Monaro Voui.
Salwai, i cili pritet të vizitojë ishullin së bashku me ministrin e Ndryshimeve Klimatike Ham Lini, ka theksuar se kanë planifikuar që evakuimi të zgjasë deri më 6 tetor.
Vullkani Manaro Voui u aktivizua dy ditë më parë, duke shpërndarë llavë dhe hi vullkanik në vendbanime. Tetë mijë persona që jetojnë në këto vendbanime janë zhvendosur në zona më të sigurta.
Enti Meteorologjik dhe Gjeologjik në fundjavë ngriti në kategorinë e katërt alarmin, që është kategoria e dytë më e lartë, duke shpallur po ashtu gjendje emergjente në ishull.
Zyrtarët paralajmëruan se në qoftë se vullkani shpërndan llavë, atëherë edhe fshatrat në distancë prej rreth shtatë kilometrash do të përballeshin me rrezik.
Vanuatu është pjesë e rajonit të quajtur "Rripi i Zjarrtë i Paqësorit", i cili njihet për numrin e madh të vullkaneve dhe tërmeteve. Edhe në vitin 2005, mijëra persona ishin evakuuar si rezultat i aktivizimit të vullkanit Manaro Voui.