Ata Ufuk Şeker
30 dhjetor 2020•Përditësim: 30 dhjetor 2020
Udhëheqësit e bllokut evropian kanë nënshkruar marrëveshjen me Mbretërinë e Bashkuar për krijimin e marrëdhënieve tregtare në periudhën pas Brexit-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia zyrtare e nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë dhe bashkëpunimit midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Mbretërisë së Bashkuar u mbajt në Bruksel.
Në anën e BE-së, marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Marrëveshja pritet të mbërrijë në Londër sot, ku do të nënshkruhet nga kryeministri britanik, Boris Johnson.
Marrëveshja e cila ende nuk është miratuar në Parlamentin Evropian, planifikohet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2021.
Bisedimet tregtare pas Brexit-it
Britania votoi të largohet nga BE-ja në një referendum të vitit 2016, me 52 për qind në favor dhe 48 për qind kundër. Vendi u largua zyrtarisht nga BE-jë në fund të janarit të këtij viti. Që nga ajo kohë, ajo ka qenë në një periudhë tranzicioni, që do të thotë se Mbretëria e Bashkuar vazhdoi të ndjekë rregullat e BE-së përderisa punonte për një marrëveshje të re tregtare.
Brukseli dhe Londra arritën një marrëveshje tregtare pas Brexit-it më 24 dhjetor, pas disa muajve të negociatave dhe vetëm një javë para fundit të periudhës së tranzicionit.
Negociatat kanë qenë të ashpra, me mosmarrëveshje të përqendruar në tre çështje kryesore, respektivisht mbi të drejtën peshkimit, mbi të ashtuquajturën "fushë loje të barabartë" apo sigurimin e konkurrencës së ndershme si dhe mbi mënyrën se si do të zbatohet marrëveshja.