Diyar Güldoğan
10 korrik 2016•Përditësim: 11 korrik 2016
ANKARA (AA) - Të paktën tetë pjesëtarë të organizatës terroriste DAESH u vranë në veri të Sirisë në sulmet ajrore nga forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).
Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë turke njoftoi se forcat ajrore të koalicionit dje kanë sulmuar dhe shkatërruar dhjetë pozicione të DAESH-it në veri të Sirisë.
Bëhet fjalë për fortesat e DAESH-it në zonën e rajonit kufitar Dabik ndërsa paraprakisht radarët nga ana turke e kufirit zbuluan aktivitetet terroriste dhe përgatitjet për sulmet me raketa në territorin turk. Të gjitha objektivat janë shkatërruar me sukses, duke përfshirë edhe ndërtesën që terroristët kanë përdorur si një vend komandues.
Paralelisht me këtë, forcat ajrore turke vazhduan sulmet ajrore ndaj pozicioneve të organizatës terroriste PKK në shpatet malore në krahinën juglindore të Hakkarit.
Në sulmet ajrore mbi pozicionet në vendet Mirgeslav dhe Daglica u shkatërruan shtatë fortesa terroriste.
PKK-ja është organizatë separatiste e cila gjendet në listën e grupeve terroriste në Turqi, SHBA dhe Bashkimin Evropian. Kjo organizatë, në korrik të vitit të kaluar riaktivizoi fushatën e gjatë tre dekadëshe kundër Turqisë ndërsa forcat turke të sigurisë në fund të vitit të kaluar filluan një operacion të gjerë anti-terrorist me qëllim të pastrimit të elementeve terroriste nga territori i Turqisë dhe veriut të Irakut.
Në operacionet anti-terroriste deri më tani janë vrarë mbi 5.000 terroristë të PKK-së ndërsa jetën e kanë humbur afro 600 pjesëtarë të forcave turke të sigurisë.