Halit Süleyman
01 Nëntor 2017•Përditësim: 01 Nëntor 2017
GUTA LINDORE (AA)
Nxënësit e plagosur të shkollës në qytezën Xhisrin, treguan tmerrin që përjetuan pas rënies së predhës së topit nga sulmet e regjimit të Bashar Asadit në Gutën Lindore, e cila është një nga zonat e deeskalimit (jokonfliktuale) në kryeqytetin e Sirisë, Damask.
Qyteza Xhisrin në rajonin e Gutës Lindore dje ishte cak i sulmeve intensive me top të forcave të regjimit. Shtatë nxënës humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën si pasojë e rënies së një predhe topi në një shkollë fillore në Xhisrin.
Dhjetëra nxënës, të cilët u plagosën si pasojë e predhës së topit gjatë kohës së drekës në shkollë u dërguan në qendrat shëndetësore nga njerëzit përreth dhe ekipet e Mbrojtjes Civile.
Gazetari i Anadolu Agency (AA) vizitoi nxënësit e plagosur nga sulmi në fjalë. Njëri prej tyre Jamin Berek tha: “Jam 7 vjeçar dhe jam në klasën e parë në shkollën fillore. Unë kujtoj vetëm atë se predha e topit ra në shkollë dhe se mbeta i mbuluar nga gjaku”.
Ai bëri të ditur se është plagosur në fytyrë dhe në shpinë. “Një burrë më solli në spital. Tani jam shumë më mirë. Oborri i shkollës ishte i mbuluar me gjak për shkak të sulmit”, tha Berek.
“Fillova të vrapoj në spital i mbuluar në gjak”
Poashtu edhe 12 vjeçari Tarik Zigind, një nga të plagosurit e sulmit në shkollë tha: “Unë isha në derën e shkollës me një shok, kur ra predha e topit. Fytyra ime u mbulua nga gjaku. Fillova të vrapoj në spital i mbuluar në gjak. Në sulm u plagosën edhe vëllai im i vogël dhe i madh”.
Nxënësi me emrin Bilal tha se “Disa shokë tanë humbën jetën si pasojë e rënies së predhës së topit në shkollë. Edhe unë u plagosa. Nuk e di se kush më solli në spital. Në shkollë pashë nxënës të cilët vraponin, nuk më kujtohet çfarë ndodhi më pas”.
Ndërsa mjeku i Qendrës shëndetësore në Xhisrin, ku po trajtohen nxënësit e shkollës, Xhemal Muhammed thotë se “Dje qyteza Xhisrin ishte cak i një sulmi intensiv artilerik. Këto sulme u intensifikuan gjatë kohës kur nxënësit dilnin nga shkolla. Shtatë nxënës humbën jetën kurse më shumë se 25 të tjerë u plagosën. 95 për qind të nxënësve u plagosën për shkak të sulmit, sepse kur predha ra në shkollë, shumica e nxënësve ishin në oborr”.