Ömer Olcay
01 Korrik 2020•Përditësim: 02 Korrik 2020
Një avion ushtarak kargo i Turqisë është nisur nga Ankaraja me ndihma mjekësore për Irakun, në kuadër të luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Turqia vazhdon të dërgojë ndihma mjekësore vendeve që janë ndikuar nga COVID-19.

Në drejtim të udhëzimit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Turqia dërgoi në Irak maska, respiratorë vendas, veshje mbrojtëse, syze dhe mbrojtëse për fytyrë të përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë.
Avioni ushtarak kargo A400M e Ministrisë së Mbrojtjes u ngarkua me pajisje të ndihmës mjekësore dhe u nis drejt Irakut nga aeroporti ushtarak Etimesgut në Ankara.
Mbi kutitë e ndihmës së dërguar ndodhen edhe mbishkrime me fjalë nga poeti mistik dhe dijetari Mevlana, i njohur edhe si Rumi, në turqisht dhe arabisht: "Pas dëshpërimit ka shumë shpresë. Pas errësirës ka shumë diell". Si dhe "Me dashuri prej Turqisë tek populli i Republikës së Irakut".
Turqia më parë kishte dërguar ndihma mjekësore në vendet e Ballkanit, në mesin e tyre Maqedonia e Veriut dhe Kosova, si dhe në SHBA, Britani e Madhe, Spanjë, Itali dhe shumë vende të tjera.