Fatjon Cuka
05 prill 2016•Përditësim: 05 prill 2016
TIRANË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot Presidentin e Hungarisë, Janos Ader (János Áder). Në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë, theksohet se Meta shprehu kënaqësinë për këtë vizitë, duke shtuar se Hungaria është një vend mik dhe aleat i veçantë për shqiptarët, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Mbi të gjitha mbetemi gjithnjë së bashku si aleatë në NATO dhe partnerë në Bashkimin Evropian, për t’u përballur me sfidat e përbashkëta që cenojnë kontinentin tonë”, theksoi ndër të tjera Meta.
Ader nënvizoi se Hungaria është mbështetëse e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë duke vënë në dukje se “alfa dhe omega e progresit dhe e hapjes së negociatave është reformimi i sistemit të drejtësisë”.
Në këtë kontekst Kryetari i Kuvendit, Meta u shpreh se procesi i reformës në drejtësi është thelbësor jo vetëm për integrimin evropian të vendit, por edhe për krijimin e një klime më të besueshme biznesi.
Në përfundim të takimit Meta dhe Ader diskutuan mbi zhvillimet në rajon, duke ndarë bindjen se bashkëpunimi rajonal është kyç për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ndërkohë po sot Presidenti i Hungarisë, Janos Ader dhe homologu i tij shqiptar, Bujar Nishani, pas takimit kokë më kokë dhe pas bisedimeve zyrtare mes delegacioneve të të dy vendeve, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat. Të dy homologët u ndalën në çështjet e diskutuara në takimet mes tyre, duke patur në fokus veçanërisht marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, krizën e refugjatëve dhe emigrantëve dhe mbështetjen e Hungarisë ndaj Shqipërisë për procesin e integrimit europian.