İlkay Güder
25 Janar 2018•Përditësim: 25 Janar 2018
ANKARA (AA) - Në ditën e gjashtë të operacionit "Dega e Ullirit", presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, vizitoi Qendrën Operacionale në Hatay, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të siguruara nga Presidenca, presidenti Erdoğan bashkë me Shefin e Shtatmadhorisë turke gjeneralin Hulusi Akar, nga kryeqyteti Ankara kanë kaluar në Qendrën Operacionale të Komandës së Dytë Ushtarake në Hatay, e cila është përgjegjëse për transferimin dhe menaxhimin e operacionit "Dega e Ullirit".
Presidentin Erdoğan e shoqëruan edhe Zëvendëskryeministri Bekir Bozdağ, ministri i Mbrojtjes Nurettin Canikli, Komandanti i Forcave Tokësore gjenerali Yaşar Güler dhe guvernatori i qytetit të Hatay, Erdal Ata.
Theksohet se Erdoğan bashkë me delegacionin janë duke u informuar në lidhje me operacionin "Dega e Ullirit" nga Komandanti i Komandës së Dytë Ushtarake, Ismail Metin Temel dhe zyrtarë të tjerë ushtarak në Qendrën Operacionale.
Gjithashtu mësohet se edhe pritja e kryeministrit Binali Yıldırım nga presidenti Erdoğan është shtyrë për shkak të vizitës së papritur.