Ali Eyvaz
08 Janar 2019•Përditësim: 08 Janar 2019
ANKARA (AA) - Kreu i partisë turke, Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, ka shprehur mbështetje për operacionin ushtarak të parashikuar të Turqisë në qytetin sirian Munbixh, raporton Anadolu Agency (AA).
“Partia Lëvizja Nacionaliste mbështet qeverinë në luftën e saj të ligjshme kundër terrorizmit. Munbixhi duhet të shpëtohet nga shtypja”, i tha Bahçeli grupit parlamentar të partisë së tij.
Bahçeli theksoi se njerëzit në rajonin lindor të lumit Eufrat duhet të mbrohen nga terroristët e YPG/PKK-së. Ai tha se lufta e Turqisë kundër terroristëve në Siri është “e drejtë, legjitime dhe e ligjshme”.
“Pa marrë parasysh se çfarë bën SHBA, apo se çfarë thotë dikush, Turqia duhet të hyjë dhe duhet të bëjë atë që është e nevojshme për drejtësinë, për ligjin, për të drejtat, për mbijetesën dhe për sigurinë e të shtypurve në lindje të Eufratit”, deklaroi Bahçeli.
Kreu i partisë turke po ashtu kritikoi komentet e fundit mbi kurdët në Siri të këshilltarit të sigurisë kombëtare amerikane, John Bolton.
“Mos vallë Turqia, si një shtet i pavarur dhe sovran, do të pyes ty dhe shefat e tu si dhe çfarë të veprojë? Çfarë është kjo arrogancë, kjo paturpësi? Ata me të cilët ju jeni aleatë janë kasapë njerëzish dhe këto tradhtarë separatist nuk kanë as interesin dhe lidhjen më të vogël me vëllezërit tanë me origjinë kurde. Ata janë terroristë, vrasës, kriminelë; Është detyrë eliminimi i tyre kudo që të vërehen", tha Bahçeli.
Të dielën, Bolton tha se SHBA-të nuk do të tërheqin trupat nga Siria verilindore derisa qeveria turke të garantojë luftën kundër DEASH-it dhe se ajo nuk do të sulmojë “luftëtarët kurdë”, duke iu referuar grupit terrorist YPG/PKK.
Më 1 nëntor, para njoftimit se forcat amerikane do të tërhiqeshin nga Siria, trupat turke dhe amerikane filluan patrullimet e përbashkëta në Munbixh si pjesë e një marrëveshjeje që përqendrohet në tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së për të stabilizuar rajonin.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, duke përfshirë gra dhe fëmijë. YPG është dega e saj siriane.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në dhjetor mori vendimin e papritur për të tërhequr trupat amerikane nga Siria. Vendimi pasoi thirrjen telefonike Trump-Erdoğan në të cilën dy liderët ranë dakord mbi nevojën për një koordinim më efektiv mbi vendin e shkatërruar nga lufta civile.
Trupat e SHBA-ve në Siri po bashkëpunojnë me YPG/PKK-në për të luftuar DEASH-in, kundër mospëlqimit të Turqisë se përdorimi i një grupi terrorist për të luftuar një tjetër nuk ka kuptim.