Hümeyra Ayaz
15 Maj 2026•Përditësim: 15 Maj 2026
Zëvendësministri i Tregtisë së Turqisë, Sezai Uçarmak deklaroi se "KazanForum" është një organizatë e vlefshme dhe e qëndrueshme për sa i përket zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike midis Rusisë dhe botës islame.
Duke folur për Agjencinë Anadolu (AA) në kuadër të forumit "Rusi-Bota Islame: KazanForum", për të cilin AA është partneri global i komunikimit, Uçarmak tha se Turqia përpiqet të sigurojë pjesëmarrje të fortë të biznesit në forum çdo vit.
Ai theksoi se Tatarstani është një rajon i besueshëm për kompanitë turke, duke vënë në dukje se një pjesë e konsiderueshme e tregtisë së Turqisë me Rusinë zhvillohet përmes këtij rajoni dhe se investimet dhe aktivitetet e prodhimit të ndërsjella vazhdojnë të rriten.
Duke folur për strukturën aktuale të marrëdhënieve tregtare midis Turqisë dhe Rusisë, Uçarmak tha se tregtia përparon "asimetrikisht" në disa fusha, por se kjo strukturë mund të balancohet duke rritur diversitetin e produkteve dhe duke zgjeruar mundësitë e ndërsjella.
Ai kujtoi objektivin e vëllimit tregtar prej 100 miliardë dollarësh të vendosur nga presidenti Erdogan, duke theksuar se ekziston potenciali për të arritur këtë qëllim. Uçarmak shtoi se investitorët turq po i afrohen Tatarstanit me besim dhe se kjo atmosferë besimi është një faktor i rëndësishëm në rritjen e tregtisë dhe investimeve.
Duke tërhequr vëmendjen te riformësimi i zinxhirëve të furnizimit, linjave të logjistikës dhe sistemeve të pagesave në tregtinë globale, Uçarmak vuri në dukje se vendndodhjet gjeografike të Turqisë dhe Rusisë ofrojnë një avantazh strategjik në këtë proces.
"Rusia është në veri dhe ne jemi në qendër. Ne jemi në një pozicion shumë të rëndësishëm për sa i përket lidhjeve logjistike ndërkombëtare. Ne të dy jemi fqinjë detarë. Kemi një vëllim shumë të konsiderueshëm tregtar. Një pjesë e konsiderueshme e produkteve që na nevojiten janë të disponueshme këtu. Ne gjithashtu mund të prodhojmë lehtësisht shumë gjëra që u nevojiten atyre", tha Uçarmak.
- "Nëse ofrohet certifikim i nivelit botëror, nuk do të ketë pengesa për tregtinë"
Duke iu referuar përputhshmërisë së produkteve turke me standardet ndërkombëtare, Uçarmak tha se nuk ka asnjë pengesë teknike që i pengon kompanitë ruse të zgjedhin këto produkte.
Ai potencoi se ka disa probleme me përputhshmërinë, veçanërisht në proceset e certifikimit hallall. "Këto probleme mund të zgjidhen brenda kornizës së standardeve të Organizatës së Bashkëpunimit Islam. Kjo është çështje besimi. Por, nëse mund ta sigurojmë këtë besim përmes certifikimit me standarde botërore, nuk do të ketë pengesë për tregtinë", tha zv/ministri turk i Tregtisë.
Uçarmak nënvizon se diskutimet e mbajtura në kuadër të forumit hodhën themelet për bashkëpunime afatgjata ndërsa shtoi se organizata të tilla janë një pjesë e natyrshme e proceseve të investimeve, promovimit dhe njohjes së ndërsjellë.