Khalid Mejdoup,Muhammed Semiz
04 nëntor 2020•Përditësim: 04 nëntor 2020
Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) hapën konsullatë në Saharanë Perëndimore, për të cilën ka mosmarrëveshje midis Marokut dhe Frontit Polisario, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të kanalit 2, kanali zyrtar televiziv i Marokut, ministri i Jashtëm maroken, Nasser Bourita, ambasadori i EBA-së në Marok, Al Asri Saeed Al Dhaheri morën pjesë në hapjen e konsullatës së EBA-së në qytetin Laayoune të Saharasë Perëndimore.
Zyra mbretërore e EBA-së, më 27 tetor njoftoi se Mbreti i 6-të i Marokut, Mohammed ka zhvilluar një bisedë me princin e kurorës të EBA-së, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Princi i Kurorës i EBA-së në këtë bisedë mbretit Mohammed i pati theksuar se vendi i tij dëshiron të hapë konsullatë në Laayoune.
Ndërsa mbreti i Marokut e kishte falënderuar Al Nahyan "për shkak të këtij vendimi historik që mbështet integritetin territorial të Marokut" dhe se EBA do të jetë vendi i parë arab që do të hapë konsullatë në Saharanë Perëndimore.
Kryediplomati maroken, Bourita më 27 tetor me rastin e hapjes së konsullatave të Zambias dhe Eswatinit në Laayoune kishte theksuar se numri i vendeve që kanë hapur konsullata në qytetet Dakhla dhe Laayoune të Saharasë Perëndimore ka arritur në 15.
Me EBA-në ky numër u rrit në 16.
Çështja e Saharasë Perëndimore
Pasi Maroku në vitin 1975 aneksoi Saharanë Perëndimore, një ish-koloni e Spanjës, në tokat e saj, mes Frontit Polisario me tendencë pro-pavarësisë e mbështetur nga Algjeria dhe administratës marokene filluan tensionet të cilat ende vazhdojnë.
Maroku mbron idenë se rajoni duhet të mbetet nën sovranitetin e tij ndërsa Fronti Polisario pohon se Saharaja Perëndimore është një shtet i pavarur.
Fronti Polisario zhvilloi një luftë të armatosur kundër forcave marokene të sigurisë deri në vitin 1991 kur u arrit marrëveshja e armëpushimit nën ndërmjetësimin e OKB-së. Bisedimet mbi statusin e rajonit ende nuk kanë arritur sukses.