Ekip
01 Nëntor 2017•Përditësim: 01 Nëntor 2017
ANKARA (AA) – Kolegji Sirius në Australi, i cili ka lidhje me organizatën terroriste FETO, pas lajmërimit të një numri të madh të nxënësve se nuk do të riregjistrohen në shkollë, njoftoi se do ta mbyllë pjesën e shkollës së mesme të ulët të kampusit Shepparton, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas artikullit të gazetës "Shepparton News", drejtori i Kolegjit Sirius në kampusin Shepparton, Adem Ergin ka njoftuar se pas largimit të 200 nxënësve nga klasat e 7-ta dhe të 8-ta kanë marrë vendimin për ta mbyllur plotësisht pjesën e shkollës së mesme të ulët të kampusit.
Ergin tha se mësimet do të vazhdojnë me 100 nxënës të shkollës fillore.
Gazeta vlerëson se kjo humbje e numrit të nxënësve është rezultat i tentativës për grusht shteti në Turqi.
Dëmet materiale kanë arritur në miliona
Menjëherë pas 15 korrikut, tentativës për grusht shteti të FETO-s në Turqi, 100 nxënës kishin anuluar regjistrimet e tyre nga kjo shkollë. Së bashku me këtë numër, numri i përgjithshëm i nxënësve të cilët u larguan nga kampusi Shepparton ka arritur në 300.
Mendohet se dëmet materiale të shkaktuara nga rënia e numrit të nxënësve është rreth 1 milion dollarë. Nëse kësaj i shtohet edhe vlera që merret për kokë nxënësi nga shteti si dhe shpenzimet e nxënësve, largimi i 300 nxënësve ka shkaktuar dëme prej 4 milionë dollarësh për një vit.
Shkolla ka pësuar humbje të numrit të nxënësve edhe në kampuset tjera në Australi. Për këtë arsye drejtuesit e shkollës, kanë vendosur reklama në qendra tregtare, gjë që të cilin nuk e kishin praktikuar më parë.
Në rend janë kampuset tjera
Përveç turqve në Australi, të cilët kuptuan se këto shkolla kanë lidhje me FETO-n, organizatë e cila qëndron pas tentativës për grusht shteti në Turqi, edhe prindër të përkatësive të ndryshme etnike nuk bënë riregjistrimin e fëmijëve të tyre në këto shkolla.
Thuhet se shkolla, e cila po ballafaqohet me vështirësi ekonomike ka hyrë në procesin e mbylljes edhe të kampuseve tjera.
Shkollat e Fondacionit Maarif, të cilat do të hapen në Melburn dhe Sidnej pritet që të përshpejtojnë mbylljen e këtyre shkollave të kësaj organizate në Australi.
Organizata vazhdon ta diskreditojë Turqinë
Në anën tjetër, anëtarët e organizatës, ashtu si në çdo shtet tjetër ku ndodhen, edhe në Australi vazhdojnë fushatat e diskreditimit të Turqisë. Anëtarët e organizatës, të cilët humbën efektet dhe besueshmërinë në popullin turk, bëjnë sugjerime me përmbajtje shpifëse dhe fyese ndaj Turqisë tek australianët të cilët kanë arritur t’i mashtrojnë.
Shkollat që kanë lidhje me organizatën terroriste aktivitetet e tyre i zhvillojnë nën emrin Sirius në shtetin Victoria, Amity në Uellsin e Ri Jugor, Wisdom në shtetin Queensland, Pinnacle në Australinë Jugore dhe Fountain në Australinë Perëndimore.