Esra Taşkın
03 Korrik 2023•Përditësim: 04 Korrik 2023
Sipas autoriteteve franceze, 157 persona u arrestuan në natën e gjashtë të protestave të cilat shpërthyen pasi policia qëlloi për vdekje një të ri në Francë, transmeton Anadolu.
Protestat kanë vazhduar në shumë qytete mbrëmë natën pasi i riu Nael M. që drejtonte një automjet humbi jetën nga zjarri që policia hapi më 27 qershor në qytetin Nanterre.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Francës, në protestat e mbajtura natën në të gjithë vendin u arrestuan 157 persona dhe u plagosën 3 punonjës policie dhe të xhandarmërisë. Ministria ka vënë në dukje se ky bilanc është i përkohshëm.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, në një deklaratë nga Twitter bëri të ditur se natën u dogjën shumë automjete në një parking të mbyllur në qytetin Saint-Denis.
Duke informuar se nuk ka mundur të shpëtojë zjarrfikësi 24-vjeçar që ndërhyri ndaj zjarrit, Darmanin i ka shprehur familjes dhe të afërmeve të tij ngushëllime.
- Protestat e dhunshme në Francë
Policia franceze më 27 qershor në qytetin Nanterre hapi zjarr një automjeti në të cilin ndodheshin 3 persona dhe vrau 17-vjeçarin, Nael M, drejtuesin e automjetit.
Personat që kanë reaguar ndaj vdekjes së Nael, kanë dalë në rrugët e qyteteve të ndryshme në të gjithë vendin dhe janë përleshur me policinë.
Polici që qëlloi të riun u pezullua nga detyra dhe u vendos që të gjykohet nën masën e arrestit.
Gjithashtu në protestat e mbajtura në shumë qytete përfshirë Parisin, Marseille-n dhe Lyonin u përjetuan ngjarje të plaçkitjeve, ndërsa në rreth 10 qytete u shpall orë policore për ndalimin e daljes në rrugë që nga 21:00.