Rabia İclal Turan
27 Tetor 2020•Përditësim: 28 Tetor 2020
Agjencia Evropiane e Rojës Bregdetare dhe Kufirit (Frontex) ka njoftuar se ka ka nisur një hetim të brendshëm mbi kthimin e paligjshëm të migrantëve nga Greqia pas raporteve të ndryshme nga media ndërkombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, drejtori ekzekutiv i Frontex-it, Fabrice Leggeri, tha se "po shikojmë akuzat e ngritura nga disa organizata të lajmeve lidhur me aktivitetet tona në kufirin e jashtëm të Greqisë".
Deklarata theksoi se agjencia nuk do të tolerojë asnjë shkelje të të drejtave themelore.
"Ne mbetemi të përkushtuar për të siguruar mbështetje për Greqinë në kufijtë e saj të jashtëm në përputhje me mandatin tonë dhe në frymën e solidaritetit të BE-së, në respektimin e plotë të të drejtave themelore dhe ligjit ndërkombëtar", tha Leggeri.
Siç njoftohet në deklaratë, ku theksohet se nuk është zbuluar asnjë dokument apo material për mbështetje të akuzave, Frontex informoi komisioneren e Bashkimit Evropian (BE) për çështjet e brendshme, Ylva Johansson.
Agjencia tha se mosmarrëveshja midis Turqisë dhe Greqisë rreth "kufijve detarë" ka komplikuar më tej situatën në Egjeun lindor.
Rojet kufitare greke prej kohësh janë akuzuar nga grupet e të drejtave të njeriut për braktisjen e qëllimshme dhe kthimin mbrapa të refugjatëve në det.
Javën e kaluar, e përditshmja gjermane Der Spiegel publikoi dokumente që tregojnë se njësitë e Frontex-it vëzhguan dhe madje mbështetën praktikën në muajt e fundit në shkelje të ligjit ndërkombëtar.
"Hulumtimi dëshmon për herë të parë se zyrtarët e Frontex-it e dinë për praktikat e paligjshme të rojeve kufitare greke dhe se vetë agjencia ndonjëherë përfshihet në kthimin mbrapa", raportoi Der Spiegel.
Ajo dokumentoi të paktën gjashtë incidente që treguan njësitë e Frontex-it të përfshirë në kthimin mbrapa pranë ishujve Lesbos dhe Samos midis 28 prillit dhe 29 gushtit.
Raporti i të përditshmes gjermane u mbështet po ashtu edhe nga Lighthouse Reports, Bellingcat, transmetuesi publik gjerman ARD dhe transmetuesi japonez TV Asahi.