Riyaz Khaliq Khaliq
01 tetor 2026•Përditësim: 01 tetor 2026
Të dhënat e mijëra personave kanë rrjedhur pasi një bankë u hakerua në Korenë e Jugut, transmeton Anadolu.
Siç raporton Yonhap News, "Shinhan Bank" tha se të dhënat, përfshirë të ardhurat vjetore, emrat dhe numrat e telefonit të rreth 25 mijë klientëve, u komprometuan një ditë më parë.
Dje, Shërbimi i Mbikëqyrjes Financiare i vendit nisi një hetim në terren lidhur me rrjedhjen e të dhënave në bankë, ndërkohë "Shinhan Bank" tha se ndërmori “masa emergjente për të minimizuar dëmet e mundshme nga rrjedhja e të dhënave”.
Koreja e Jugut ka përjetuar disa raste të rrjedhjes së të dhënave personale gjatë muajve të fundit ndërsa autoritetet muajin e kaluar rritën gjobat për personat përgjegjës.
Sipas Ligjit të rishikuar për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, personat që shpallen fajtorë për rrjedhjen e të dhënave që prekin 10 milionë ose më shumë persona mund të përballen me gjoba deri në 10 për qind të të ardhurave të tyre totale.
Në korrik të këtij viti, Komisioni i Mbrojtjes së Informacionit Personal i Koresë së Jugut gjobiti kompaninë e telekomunikacionit KT Corp. me rreth 54 miliardë uon (37.43 milionë dollarë) për rrjedhjen e të dhënave personale të klientëve gjatë viteve 2024 dhe 2025.
Sipas transmetuesit KBS, rreth 48 milionë persona u prekën nga shkeljet e të dhënave personale vitin e kaluar, ndërsa rrjedhjet ishin të përqendruara kryesisht në sektorin privat. Midis viteve 2021 dhe 2025, agjencia e inteligjencës e vendit zbuloi më shumë se 100 raste të rrjedhjes së teknologjive industriale drejt vendeve të huaja.
Sipas të dhënave të dorëzuara në parlament nga Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Burimeve e Koresë së Jugut, nga 107 raste të tilla, rrjedhjet që lidhen me sektorin e gjysmëpërçuesve përbënin gati 40 për qind.