Said İbicioğlu
08 Nëntor 2016•Përditësim: 08 Nëntor 2016
BAGDAD (AA) - Është rritur në 37 mijë, numri i njerëzve të cilët janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre si pasojë e operacionit për çlirimin e Mosulit në Irak, nga organizata terroriste DEASH, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri irakian për Emigrimin dhe Emigrantët, Xhasim Muhammed, në një deklaratë me shkrim ka thënë se që nga fillimi i operacionit e deri tani të paktën 37 mijë njerëz kanë lënë shtëpitë e tyre.
Ministri ka thënë se në rajonet e shpëtuara nga DEASH-i janë kthyer 2.103 persona.
Nga ana tjetër Ijad Rafed, një zyrtar i lartë i Gjysmëhënës së Kuqe, ka thënë se me përparimin e forcave të armatosura drejt qendrës së Mosulit, çdo ditë e më shumë rritet numri i atyre që largohen nga shtëpitë.
Rafed ka theksuar se gjatë ditës së sotme kanë pritur rreth një mijë persona në jug të Mosulit, shumica e të cilëve ishin fëmijë dhe pleq. Personat në fjalë ka thënë ai, janë dërguar në kampet e improvizuara në rajone të sigurta.
Ushtria irakiane zbulon një varr masiv në afërsi të Mosulit
Ushtria e Irakut ka zbuluar një varr masiv në afërsi të qytetit të Mosulit i cili aktualisht mbahet në kontroll nga DEASH-i.
“Varri masiv gjendet në qarkun Hamam al-Alil, dhe përmban mbetjet mortore të rreth 100 njerëzve, përfshirë civilët të cilët janë vrarë nga terroristët e DEASH-it muaj më parë”, deklaroi gjenerali Ali al-Lami në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror i Irakut.
“Disa nga trupat ishin me koka të prera”, tha ai, për të shtuar se mbetjet mortore janë të civilëve të cilët kishin refuzuar të bashkëpunojnë me grupin terrorist, përfshirë edhe pjesëtarë të forcave irakiane të sigurisë.
Terroristët e DEASH-it kanë kryer sulm mbi puse të naftës në Irak
Sipas burimeve të sigurisë, militantët e DEASH-it kanë kryer sulm mbi puse të naftës në lindje të qytetit irakian Tikrit i cili ndodhet 140 kilometra nga Bagdadi, në lumin Tigër.
Në rajonin e përmendur siç pretendohet ende zhvillohen luftime mes DEASH-it dhe forcave irakiane. Nga ana tjetër, në sulmet me bomba që të hënën e kryen terroristët e DEASH-it në qytetin irakian Mosul humbën jetën dy ushtarë, ndërsa shtatë të tjerë u plagosën.
Sipas burimeve të sigurisë, militantët e DEASH-it në lagjen El-Intisar në jugperëndim të Mosulit të hënën me autobombë kryen sulm vetëvrasës, ku si pasojë humbi jetën një ushtar, ndërsa katër të tjerë u plagosën.
Pas sulmit me bombë forcat irakiane doemos duhej të tërhiqeshin nga disa vendbanime për shkak të zjarrit të fuqishëm të forcave të DEASH-it. Në një sulm tjetër, me autobombë në vendbanimin Es-Semah es-Sani, në lindje të Mosulit, humbi jetën një ushtar, ndërsa tre të tjerë janë plagosur.
Gjatë sulmit është dëmtuar edhe një automjet i forcave ushtarake irakiane. Forcat irakiane muajin e kaluar ndërmorrën operacion të gjerë për çlirimin e Mosulit nga terroristët e DEASH-it, ndërsa operacionit mbështetje i ofrojnë forcat e armatosura të koalicionit ndërkombëtar që kryesojnë SHBA-të.