Nazlı Yüzbaşıoğlu
20 Dhjetor 2016•Përditësim: 20 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) – Ka mbëritur në Ankara një delegacion rus i përbërë nga hetues të cilët do të përfshihen bashkë me ata turq në hetimet për atentatin e mbrëmshëm në të cilin u vra ambasadori i Rusisë në Turqi, Andrey Karlov, raporton Anadolu Agency (AA).
Delegacioni ka mbërritur sot në aeroportin Esenboga në Ankara, ndërsa në përbërje të tij janë 18 anëtarë të ekipit, në mesin e të cilëve janë një prokuror, dy atashe për siguri, zyrtarë të Ministrisë për Situata të Jashtëzakonshme, forenzikë dhe psikologë.
Ambasadori rus na Ankara u vra mbrëmë derisa po mbante një fjalim në hapjen e një ekspozite me fotografi të cilën e kishte organizuar ambasada ruse dhe komuna Cankaya.
Menjëherë pas atentatit është zhvilluar një bisedë telefonike mes presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin të cilët janë dakorduar që hetimet të zhvillohen nga ekipe të përbashkëta ruso-turke.
Edhe shefi i diplomacisë turke Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi mbrëmë në Moskë ku po qëndron për një vizitë zyrtare, se hetimi mbi atentatin ndaj ambasadorit rus Karlov do të bëhet nga ekip i përbashkët hetuesish nga Turqia dhe Rusia.